Dy ministra shqiptarë, në Bruksel paraprijnë opinionin e BE-së për statusin
Ministri i Jashtëm dhe ministrja e Integrimit paraqitën punën e Shqipërisë në përmbushje të 12 kërkesave
Fatjona Mejdini
Dy ministra të qeverisë Berisha dorëzuan dje në Bruksel përpara përfaqësuesve të Komisionit Europian, draftin me arritjet e bëra nga Shqipëria në një vit, në kuadër të përmbushjes së 12 kërkesave të vendosura. Drafti u prezantua nga ministri i jashtëm, Edmond Panariti dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, të cilët theksuan faktin se reforma në sistemin e drejtësisë dhe ajo parlamentare do të plotësoheshin në muajt në vazhdim. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Panariti, theksoi se mos heqja e imunitetit ka ardhur si pasojë e këndvështrimeve të ndryshme që ka mazhoranca dhe opozita në lidhje me këtë çështje. Sipas Panaritit, palët në vend ishin të angazhuara të luftonin korrupsionin dhe mënyra e heqjes së imunitetit ishte një çështje që do të merrte zgjedhje shumë shpejt. Këtu Panariti përmendi dhe referendumin për çështjen e imunitetit, duke e konsideruar këtë si një opsion që mbetet në lojë. Siç e dini, mazhoranca ka propozuar edhe një referendum kombëtar, i cili po ashtu është një mjet demokratik, në mënyrë që të vijohet përpara. Pra, unë nuk shoh ndonjë mosmarrëveshje. Ata e shohin në mënyra të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se palët nuk janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin, e për të vendosur masa më të rrepta për të kontrolluar më mirë, deklaroi ministri i Jashtëm, Edmond Panariti dje në Bruksel. Të njëjtin qëndrim në tryezë me përfaqësuesit e Komisionit Europian mbajti edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Përveçse përmendjes së faktit se çështja e imunitetit mund të votohej brenda këtij muaji në Parlament, ajo theksoi se rëndësi kishte fakti që kjo çështje ishte vendosur si prioritet nga mazhoranca. E rëndësishme është që ka mundësi për të bërë një ndryshim. Ne i kemi qëndruar një propozimi, i cili për mua është propozimi madhor i referendumit në pamundësi të një konsensusi. Këtë kam thënë në takim edhe sot, në pamundësi të një konsensusi mes atij kampioni që përfaqëson popullatën dhe që janë politikanët, nuk mund të ketë dhe nuk ka asnjë vendim më të mirë se ai i popullatës në tërësi, deklaroi Bregu në fjalën e saj. Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino, vlerësoi fillimisht faktin që palët kishin bërë progres për sa i përket plotësimit të pjesës më të madhe të 12 kritereve që kërkoheshin nga KE-ja. Që prej nëntorit, kur le të themi një frymë e re nisi të funksionojë në vend, e në të vërtetë kur shohim 12 prioritetet e se çfarë është zbatuar ndër ato 12 prioritete kyçe, balanca është ekstremisht e mirë, dhe pozitive. Dhe jo vetëm qeveria, por të gjitha partitë, të gjithë aktorët politikë në vend dhe shoqëria në tërësi mund të gëzohen për çfarë është arritur deri këtu, deklaroi Sanino. Por nga ana tjetër, ai theksoi se kishte një rëndësi të veçantë për këtë proces dhe përmbushja e kritereve të tjera, siç ishte kufizimi i imunitetit dhe reforma parlamentare, elemente këto që ende nuk janë plotësuar nga palët për shkak të kontradiktave politike mes mazhorancës dhe opozitës.
Takimet
Përgjigjja - Komisioni Europian pritet të japë përgjigje në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në fillim të muajit tetor. Për këtë do ti shërbejnë jo vetëm dokumentet e përpiluara nga Shqipëria, por edhe vëzhgimet personale.
PE - Kryetari i Delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, i kërkoi dje palës shqiptare që të vazhdohej me konsensusin për imunitetin dhe ligjet e tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Takimi - Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, takoi dje Presidentin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Elmar Brok. U fol gjerësisht për rolin stabilizues që Shqipëria ka në rajon.
Dy ministra shqiptarë, në Bruksel paraprijnë opinionin e BE-së për statusin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip