Dy nivelet e vetes
Mirandola thotë se “vetëvendosja” e mban natyrën njerëzore në ekuilibër, por nëpërmjet zgjedhjes që bën, njeriu mund ta ngrejë veten më sipër, duke iu afruar shkallës hyjnore, ose mund të zbresë poshtë në nivel të afërt me shtazën. Madje, edhe dinjiteti a liria e tij varet nga aftësia për të zgjedhur midis dy niveleve të “vetes”.
Astrit LULUSHI (SHBA)
1.
Prej shekujsh, kurioziteti është parë si vyrtyt. Gjuhën, shkencën, fenë, Hobbes ia vesh kureshtjes njerëzore, e cila është forca e parë shtytëse drejt së vërtetës, do të thoshte Hume. Sepse është kureshtja që nxit eksplorimin, nga i cili vjen zbulimi i pasuar nga kënaqësia, që e bën njeriun ta përsërisë deri në përftimin e vlerave dhe aftësive të reja, të cilat krijojnë vetëbesim për ta hedhur në eksplorime të tjera.
Kureshtja është shkak dhe pasojë, kur drejtohet brenda vetes. Në tregimin “Vetja tjetër”, shkrimtari Faruk Myrtaj thotë se “të gjithë kanë vetveten, por po t’u heqësh velin… zbulohet vetja e plotë”.
Veli simbolizon nxitjen e kureshtjes, por edhe dualitetin e vetes.
2.
Konflikti përbrenda njeriut është shenjë e këtij dualiteti, i cili prej filozofëve me të hershëm është thënë se përbëhet nga “vetja e poshtme” dhe “vetja e sipërme”.
Vetja e sipërme perfaqëson të vërtetën, të drejtën, ndershmërinë, dashurinë, vyrtytin etj. Vetja e poshtme është më pranë “vetes”, e prirur drejt kënaqësisë, kotësisë, pushtetit dhe shfaqjeve të tjera të vetinteresit.
Parë nga ky kënd, “vetja” është një nga tri të mundshmet; e poshtme që është vetëmohuese a vetëdënuese; e sipërme që klasifikohet si vetëplotësuese a vetënjohëse; dhe vetëvendosëse.
Ky nivel i tretë shërben si ndërmjetës midis të sipërmes dhe të poshtmes.
3.
Mirandola thotë se “vetëvendosja” e mban natyrën njerëzore në ekuilibër, por nëpërmjet zgjedhjes që bën, njeriu mund ta ngrejë veten më sipër, duke iu afruar shkallës hyjnore, ose mund të zbresë poshtë në nivel të afërt me shtazën.
Madje, edhe dinjiteti a liria e tij varet nga aftësia për të zgjedhur midis dy niveleve të “vetes”. Për Myrtajn edhe koha e zgjedhjes është e rëndësishme, njësoj si aftësia për të zgjedhur dhe nga ku njeru fillon të ndahet nga vetja tjetër. “Momenti, si interval kohor”, thotë Myrtaj, “është thjesht koncept marrë-veshës por, si prag apo shenjë kthese, është raport qëndrimi ndaj gurit të themelit”.
3 Gusht 2009