Kush pyet për mend
Walter Benjamin
Kush pyet për mend, është mirë më parë të marrë vesh mendimin e vetë pyetësit, për t’ia mbështetur më vonë atë. Prej një mençurie tjetër, më të madhe, nuk është e lehtë të bindet kush, ndaj edhe janë të paktë ata që do të kërkonin mend, me kusht që të ndiqej një mendje e huaj.
Në të vërtetë, është marrë tashmë në heshtje vendimi vetjak, i cili dëshirohet që të pohohet sërish, pikërisht nga ana e pasme, këtë herë si “këshillë” e një tjetri. Këtë konfirmim kërkojnë ata, dhe kanë të drejtë. Sepse nuk ka gjë më të rrezikshme kur vendos “me vete” ta vësh në jetë, pa kaluar më parë në sitë “protë” edhe “kundër”.
Me këtë, ai që kërkon këshillë, është thuajse gjysmë i ndihmuar dhe, nëse ai ka ndër mend diçka krejt të kundërt, është më mirë ta përforcosh mendimin e tij në mënyrë skeptike, sesa t’i kundërvihesh me bindje.
Hapësirë për të çmuarën
Përmes dyerve të hapura, me perde të ngritura, në fshatrat e vogla në jug të Spanjës, vështrimi depërton në brendësi, ku të vret sytë bardhësia e mureve. Këto mure zbardhen disa herë në vit. Në sfondin e tyre qëndrojnë si rregull, të vendosura rreptësisht në mënyrë simetrike, tri-katër karrige. Në boshtin e tyre luhatet, megjithatë, krahu i një peshoreje të padukshme, ku mirëseardhja dhe mospranimi peshojnë njëlloj në të dyja pjatancat.
Nga mënyra e vendosjes së tyre, me atë formë ashtu pa asnjë imitim, por me atë thurje tejet të bukur, mund të lexosh shumë gjëra. Nuk ka koleksionist që do t’i kishte varur qilimat e Jspahanit apo tablotë e Van Dijkut në muret e sallonit të tij me një vetësiguri kaq të madhe, sa ai fshatari këto karrige mbi dyshemenë e zhveshur. Por ato nuk janë vetëm karrige. Sapo mbi shpinëzën e tyre të varet sombrero, ato e ndërrojnë në çast funksionin. Dhe në këtë kombinim të ri, kapelja e kashtës duket jo më pak e çmueshme se karrigia e thjeshtë. Rrjeta e peshkimit e kazani i bakrit, rrema e barkës dhe amfora tingëlluese mund të ndodhen bashkë, pastaj njëqind herë në ditë, kur duhet hapësirë, mund të ndërrojnë vendet për t’u bashkuar sërish në një rend të ri. Të gjitha, pak a shumë, janë të çmueshme. Dhe misteri i vlerës së tyre është esullia, është ajo hapësirë e kursyer, jetësore, ku ato shohin tejpërtej, jo vetëm vendin ku ndodhen, por gjithë hapësirën ku janë të thirrura të zënë vazhdimisht vendet e reja. Në shtëpinë ku nuk ka krevat, qilimi me të cilin i zoti i saj mbulohet natën dhe në karrocën ku nuk ka postiqe, është jastëku gjëja më e çmueshme që shtrohet në dyshemenë e fortë.
Në shtëpitë tona të rregulluara nuk ka vend për gjëra të çmueshme, sepse nuk ka hapësirë për shërbimet e tyre.
Përktheu Afrim Koçi
3 Gusht 2009