E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harresa



Roland GJOZA

Harresa kam lenë pikëpjekje me harresën në Time Square me harresën kam lënë takim me harresën. Rri dhe pres në një kafe dhe vështroj nga xhamat rrugën me turistë të hutuar që i harrojnë sëmundjet kur udhëtojnë dhe vdekjen e harrojnë kur udhëtojnë. Rri dhe vështroj një mi që del nga metroja dhe futet në kishë ku pastorët rrëfejnë për takimin e Moisiut me Zotin në malin Sinai. Një mi rri dhe vështroj një mi që hyn e del nga kisha dhe ia mbath për ne Mack Donalts te mbushë barkun me ushqim.
Me harresën kam lënë takim me harresën numuroj paratë dhe s'më dalin për një kafe të dytë teksa jashtë muzgu bie dhe fashiten ngjyrat dhe pritja merr në telefon Funeral Home.
Eja më merrni se nuk është mirë që unë të vdes në Time Square jam pritja që s'pret më. Harresa harresa s'po mbërrin as në shtatë as në tetë as në dymbëdhjetë. Harresa s'po mbërrin po unë s'lëviz se kam lënë pikëpjekje me të.
I harruam dashnoret i harruam teatrot e Broduejt operat në Metropolitan i harruam se s'na del më dhe jeta u shtrenjtua s'blihet jeta u shtrenjtua jeta dhe vdekja u shtrenjtua u bë më e shtrenjtë vdekja. Dua t'i harroj t'i harroj të mos i kujtoj më jetën dhe vdekjen po s'mbërrin që s'mbërrin harresa.
Harresa harresa indiferente harresa s'mbërrin kurrë në pikpjekje harresa ah t'i harroja të gjitha dhe të isha shi që bie pa kujtesë pemë që çel me një urdhër të fshehtë të mos isha njeri njeri të mos isha njeri.
Harresa harresa të vija kurorë me harresën në një kishë në Time Square me harresën të vija kurorë dhe të lindja fëmijë harrestarë që të qeshnin të kënaqur si të marrë si të marrë të qeshnin të kënaqur si të marrë ah ah ah…

Perdja

Hapma pak perden tha Migjeni para se të vdiste.
Shpirt infermiere, shpirt mos qaj për mua shpirt nuk i dua më ilaçet e idhta të spitalit nuk e dua shiringën në mish, shpirt mos qaj për mua.
S'ma pakësuan dhimbjen dhimbjen s'ma shëruan s'më shpëtuan dot ilaçet e tua, shpirt mos qaj për mua.
Mbushe shiringën me qiell me qiell mbushe shiringën me qiell, mos qaj për mua. Dhe më injekto në vena re dhe rrufe, mos qaj për mua.
Ta le këtë tokë të mallkuar të mallkuar të mallkuar këtë tokë të mallkuar ta le përfundimisht, mos qaj për mua. Pa shpresë jam shtrirë jam shtrirë jam shtrirë pa shpresë jam shtrirë, mos qaj për mua.
Shpirt, infermiere shpirt mos qaj për mua, hapma pak perden qiellin të shoh dua, mos qaj për mua.

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›