Dy objektiva

Alexandre Pato beson se Milan mund të fitojë Scudetton dhe Ligën e Kampionëve gjatë këtij sezoni. Sulmuesi brazilian është optimist se Rossonerët do të fitojnë tituj në vitin e ardhshëm dhe mendon se mund të triumfojnë në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve.
Milan nuk ka fituar asnjë titull nga Superkupa e Evropës më 2007 dhe ylli brazilian beson se bashkëkombësi i tij, Leonardo ka ekip të fortë në dispozicion për të ndryshuar fatin e viteve të fundit. “Leonardo është njeri me ide të qarta dhe ka shumë opsione. Nëse mungojmë unë dhe Ronaldinho, ai mund të inkuadrojë David Beckhamin, Ignazion Abaten ose Davide Di Gennaron”, tha Pato gjatë një interviste me të përditshmen italiane La Stampa.
Beckham i është bashkuar Milanit të hënën për herë të dytë në formë huazimi. “Ai do të na ndihmojë shumë për të fituar Scudetton. Unë besoj. Po ashtu kemi kualitete të mjaftueshme për të fituar edhe Ligën e Kampionëve”, shtoi ai. Milan ka tetë pikë më pak se kryesuesi Inter në Serie A, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar, pasi takimi i tyre me Fiorentinën ishte shtyrë para pushimit festiv. Ata do të takohen me Manchester United në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.
Pato ka treguar për raportin e tij me Leonardon nga mosha 16 vjeçare. Sulmuesi ka shkëlqyer këtë sezon nën drejtimin e Leonardos dhe ndien se mund të realizojë potencialin e tij të plotë duke punuar me bashkëkombësin e tij brazilian.
“Për herë të parë jemi takuar ne aeroport, kur isha duke udhëtuar me Kombëtaren U-17 për në Japoni. Isha 16 vjeç. Ai më pyeti si ndihem dhe më dha këshilla, të cilat i mbaj mend edhe sot – mos u largo nga klubi. Prit, është ende herët për lëvizje të madhe. Dy vite më vonë ai më ftoi në Milan gjatë kohës kur ishte drejtor. Gjithmonë jam ndjerë mirë në Milan. Pasi kam vendosur të vij, kam pranuar thirrje nga Emerson dhe Serginho, të cilët më thanë: ‘Mirë se vjen në familjen tënde të re!”- përfundoi Pato.