E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harbuzi, i privilegjuar

Interesimi i gjigantit turk, Galatasaray e ka bërë të ndihet shumë mirë Labinot Harbuzin. Mesfushori kosovar u ka thënë medieve suedeze se do të ndihej i privilegjuar me këtë interesim, nëse është i vërtetë dhe i fuqishëm, ashtu siç shkruanin mediet turke ditë më parë.

”Natyrisht se jam i privilegjuar, por duhet të shohim nëse ka diçka të vërtetë nga kjo. Nëse po, atëherë shohim nëse është momenti për të lëvizur”, ka thënë 23 vjeçari ueb faqen suedeze Sydsvenskan.

Gençlerbirligi e kishte blerë Harbuzin gjatë verës që shkoi për 750 mijë euro nga klubi suedez Malmo. Por, mund të ndodhë që eksperienca e tij te ky klub mos të zgjasë as gjysmë viti të plotë, kur bëhet fjalë për një interesim nga një klub aq i madh.

“Faktikisht, nuk ndodh shpesh që të largohesh nga klubi vetëm pas gjashtë muajsh, por është e qartë se paratë për të cilat shkruajnë mediet, tre milionë euro, mund të jenë vendimtare”, ka thënë Harbuzi.

Edhe para se të transferohej te Gençlerbirligi, Harbuzi ishte bërë shënjestër e Galatasarayt, mirëpo klubi turk nuk ishte i interesuar të paguante para si dëmshpërblim për këtë futbollist. “Po, kjo është e vërtetë, por nuk e di se sa i fortë ishte interesimi atëherë”, ka pranuar ai.

Në përgjithësi, Harbuzi është i kënaqur me përvojën e tij në kampionatin turk, edhe pse nuk ka kohë të gjatë që luan atje.

“Jam mjaft i kënaqur me sezonin tim në Turqi. Në përgjithësi, në ndeshjet me klubet e mëdha si Galatasaray, Besiktas e Fenerbahce, kam luajtur mirë. Kjo ishte loja që duhej ta bëja. Posaçërisht kundër Galatasarayt kam dëgjuar se edhe atyre u ka pëlqyer loja ime”, tha në fund përfaqësuesi U21 i Suedisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›