E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majlinda, më e mira

Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) të hënën në kryeqytet ka shpallur laureatët e saj për vitin që po e lëmë pas.

Ashtu siç është pritur, xhudistja më e mirë për vitin 2009 nga FXHK-ja është shpallur Majlinda Kelmendi. 18 vjeçarja në këtë vit arriti një sukses jashtëzakonisht të madh – ajo përfaqësoi Kosovën në kampionatin botëror në xhudo të mbajtur në Paris të Francës, ku u shpall kampione botërore në kategorinë e juniorëve.

Shpërblimin kryesor, Kelmendit ia dorëzoi drejtori i Departamentit të Sportit nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj.

Ndërsa Majlinda Kelmendi vitin 2009 e cilësoi si një vit të mbarë për të dhe shpreson që me suksese të vazhdojë edhe në vitin që po vjen.

“Po ndihem shumë mirë jo vetëm që e fitova këtë shpërblim, por për të gjitha sukseset që i kam arritur gjatë vitit 2009. Shpresoj që në vitin që po vjen t’i përsëris këto suksese. Unë besoj se gjatë vitit 2010 edhe xhudistë tjerë kosovarë do të korrin suksese në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Kelmendi.

Kurse pas Majlinda Kelmendit, xhudistja e dytë për vitin 2009 nga FXHK-ja është shpallur Nora Gjakova. Xhudisti i tretë më i mirë në Kosovë nga FXHK-ja është zgjedhur Zymer Zekaj.

FXHK-ja u ka dhënë mirënjohje edhe dhjetë xhudistëve të tjerë në kategorinë e shpresave, derisa më i miri në këtë kategori është shpallur Besfort Nallbani.

Klubin më të suksesshëm kosovar në xhudo për vitin 2010, FXHK-ja e ka shpallur Ippon nga Peja, pjesë e të cilit klub është edhe kampionja botërore Majlinda Kelmendi.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, ka thënë se viti 2009 ka qenë viti më i suksesshëm për xhudon kosovare që prej ekzistimit të saj. Kuka po ashtu vlerësoi se medalja e artë, të cilën e ka fituar Kelmendi në kampionatin botëror, ka qenë suksesi më i madh deri më tani për sportin kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›