Konfirmohet Kollari

Drejtuesit e Kosovës së Vushtrrisë të hënën mbrëma e kanë zyrtarizuar angazhimin e Besnik Kollarit në krye të shtabit teknik të kësaj skuadre.
Kështu, Kosova (V) në edicionin pranveror do të udhëhiqet nga Besnik Kollari, detyrë kjo të cilën gjatë stinorit vjeshtor e kryente trajneri prishtinas Arbnor Morina.
Lajmin e ka konfirmuar anëtari i Bordit të Kosovës (V), Fadil Krasniqi. Ai tregoi se Kollari do të jetë kryetrajner i Kosovës (V) për dy vitet e ardhshme.
“Ne e mbajtëm një mbledhje dhe e zyrtarizuam Besnik Kollarin kryetrajner të klubit. Kollari për dy vitet e ardhshme do ta kryen këtë detyrë”, deklaroi Krasniqi për Express.
Ai paralajmëroi se gjatë afatit kalimtar të dimrit, skuadra e tij do të përforcohet edhe me lojtarë të tjerë.
“Kemi vendosur që të gjithë lojtarët t’i mbajmë në skuadër, edhe ata që kanë kontrata, por edhe ata që nuk kanë do të mbesin tek ne sepse do t’i vazhdojmë kontratat me ta. Ne do t’i bëjmë edhe dy apo tri përforcime. Rreth përforcimeve do të vendosë vetë Kollari. Varet se cilët lojtarë i duhen për t’i sjellë në ekip”, theksoi ai.
Krasniqi bëri të ditur se anëtarët e Bordit të Kosovës (V), në këtë e mbledhje, kanë emëruar edhe Isa Sadriun drejtor në shkollën e futbollit të këtij klubi.
Besnik Kollari edhe në të kaluarën ishte trajner i Kosovës (V). Ndërsa në fillim të stinorit vjeshtor, ai ishte shef i shtabit teknik në FC Prishtinë, por që dha dorëheqje nga ai post, shkaku i krizës së rezultateve nëpër të cilën kalonte klubi kryeqytetas.
Më pas, Kollari ishte drejtor i shkollës së futbollit në FC Prishtinë, të cilën punë e la për t’iu bashkuar klubit vushtrrias.
Stinorin vjeshtor Kosova (V) e ka përmbyllur duke u radhitur në pozitën e fundit të tabelës së klasifikimit, me vetëm 14 pikë të tubuara.