E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy palestinezë të armatosur hapin zjarr në një stacion autobusi në Jerusalem, 6 viktima dhe 8 të plagosur

Gjashtë persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur në Jerusalem , pas një sulmi nga persona të armatosur palestinezë.

Policia izraelite tha se dy persona mbërritën me një automjet dhe hapën zjarr drejt një stacioni autobusi në Ramot Junction, në periferin veriore të qytetit. Sulmuesit u qëlluan për vdekje nga një ushtar jashtë detyrës që ndodhej në zonë.

Gjatë një vizite në vendngjarje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ishte në “një luftë intensive kundër terrorizmit në disa fronte”.

“Forcat izraelite të sigurisë kanë penguar qindra sulme në Bregun Perëndimor të pushtuar këtë vit, por, për fat të keq, jo këtë mëngjes. Ne tani jemi të angazhuar në ndjekje dhe po mbyllim fshatrat nga të cilët erdhën vrasësit. Ne do të kapim këdo që i ka ndihmuar dhe dërguar ata dhe do të ndërmarrim hapa edhe më të fortë”, shtoi ai.

Ushtria izraelite tha se ushtarët po rrethonin fshatrat palestineze në periferi të qytetit të Ramallah në Bregun Perëndimor për të “penguar terrorizmin dhe për të forcuar përpjekjet e mbrojtjes”.

Presidenca palestineze përsëriti qëndrimin e saj duke refuzuar dhe dënuar çdo shënjestër të civilëve palestinezë dhe izraelitë dhe duke denoncuar të gjitha format e dhunës dhe terrorizmit pavarësisht nga burimi i tyre.

Nga ana tjetër, Hamasi e vlerësoi atë dhe e quajti “operacion heroik dhe të jashtëzakonshëm nga dy luftëtarë palestinezë të rezistencës”.

Pa pranuar se kishte organizuar sulmin, Hamasi tha se ishte një “përgjigje e natyrshme ndaj krimeve të pushtimit Izraelit dhe gjenocidit që po kryen kundër popullit tonë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›