E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy panorama të kundërta rreth punësimit. Ku qëndron e vërteta?

Share

Nga Eduard Zaloshnja

Berisha nuk lë vend pa thënë se, me ardhjen e tij në pushtet, ka patur një rritje të fuqishme të ekonomisë shqiptare, e cila është shoqëruar edhe me një rritje të fuqishme të punësimit. Nga ana tjetër, eksponentë të rëndësishëm të PS-së këmbëngulin se, jo vetëm që ska patur rritje të punësimit, por ka patur një rënie të tij krahasuar me vitin 2005, kur Berisha erdhi në pushtet. Dhe ku qëndron e vërteta? Diku në mes

Sipas INSTAT-it, në vititn 2005 ishin 932 mijë të punësuar në Shqipëri, ndërsa në vitin 2010 ishin 917 mijë të punësuar. Pra, i bie të ketë patur një ulje të numrit të të punësuarve prej 15 mijë vetësh.  Pra, PS-ja paska të drejtë…  Le të mos nxitohemi! Gjatë së njëjtës periudhë, ka patur një ulje të numrit të të punësuarve në sektorin privat bujqësor nga 546 mijë në 506 mijë, pra një rënie prej 40 mijë vetësh. Por kjo rënie ka ndodhur kryesisht në vitin 2009. Dhe kjo, jo si rezultat i ndonjë shpërngulje masive nga fshati në qytet në atë vit, por nga ndryshimi i përkufizimit që i ka bërë INSTAT-i të punësuarve në bujqësi.

Kudo në botë, statistika rreth punësimit në bujqësi konsiderohet si një statistikë evazive që nuk mund të tregojë punësimin real të atyre që merren me bujqësi (fermerët mund të jenë edhe çerek apo treçerek të angazhuar me punë në fermat e tyre, në varsi të intensitetit punësor të produkteve që prodhojnë). Për këtë arsye, kur diskutohet për raportin mes rritjes ekonomike dhe punësimit në një vend, përdoret zakonisht shifra e punësimit në sektorët jo-bujqësorë. Një krahasim të tillë për Shqipërinë mund ta shihni në grafikun bashkëngjitur. Ai tregon se, nga viti 2005 në vitin 2010, ka patur në fakt një rritje totale prej 5% të punësimit në sektorët jo-bujqësorë.

Pra, Berisha paska të drejtë…  Le të mos nxitohemi! Rritja e punësimit është shumë më e vogël se rritja reale ekonomike që ka raportuar INSTAT-i për të njëjtën periudhë. Sipas INSTAT-it, Produkti i Brendshëm Bruto, në vlerë reale (pra, i zhveshur nga rritja e çmimeve), është rritur 26% nga 2005-sa në 2010-ën (ose rreth 5.5% në vit).

Dhe këtu ka diçka që sshkon. Studime të shumta ekonomike kanë treguar se, për periudha mbi 2 vjet, ka një korelacion të fortë pozitiv mes rritjes ekonomike dhe punësimit. Niveli i punësimit mund të mos ndjekë rritjen e PBB-së në vitin e parë ose të dytë pas një rënie ekonomike, ngaqë bizneset mundohen të shtojnë prodhimin duke intensifikuar punën e punonjëve që kanë, por eventualisht ata e shtojnë numrin e punonjsve, për tiu përgjigjur rritjes së mëtejshme të prodhimit. Për më tepër, në rastin e Shqipërisë, viti 2005 nuk vinte pas një viti rënie ekonomike; përkundrazi, PBB-ja kishte katër vjet që rritjej me rreth 6% në vit.

Pra, duke u kthyer tek grafiku i bashkëngjitur, i bie që, ose 5-përqindëshi i punësimit është i vërtetë, ose 26 përqindëshi i PBB-së të dy smund të jenë njëkohësisht të vërtetë. Sepse një divergjencë e tillë mes rritjes ekonomike dhe rritjes së punësimit në sektorët jo-bujqësorë nuk është e mundur të vazhdojë kaq gjatë. Sidomos kur rapotohet nga INSTAt-i se rritja e PBB-së është realizuar kryesisht në sektorë si ndërtimi, restorantet, hoteleria dhe industria, që janë sektorë me intensitet të lartë punësor…

Respublica.al

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›