Tirana tani akuzon fatin, Sengla: Na tradhtoi besimi
Eliminimi pas dy golave të pësuar në shtëpi ka lënë një shije të hidhur te Tirana. Mbi të gjitha kur kësaj i shtohet fakti se deri në minutën e 73, bardheblutë kryesonin me rezultatin 4-0. Tashmë, kryeqytetasit akuzojnë fatin për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Pas ndeshjes, zv/trajneri Luan Sengla tha: “Zbritëm në fushë të tensionuar, duke qenë se duhej të rikuperonim dy gola. Pavarësisht kësaj, arritëm të dilnim në lojën tonë dhe të shënonim, por fati nuk ishte në anën tonë”. Në minutat e fundit, Tirana pësoi një “blackout” dhe i dorëzoi kualifikimin Besës. “Dy golat e Besës erdhën për shkak të një çoroditjeje të lojtarëve tanë, shtoi numri 2 i stolit bardheblu. Në një moment, fatal rezultoi edhe besimi i tepërt i futbollistëve tanë, që pas avantazhit 4-0 menduan se ndeshja u mbyll përpara kohe. Tashmë nuk na mbetet veçse të luftojmë për vendin e dytë në kampionat”.
#