Dy poetë shqiptarë, në një antologji ndërkombëtare
Poetët shqiptarë Rudolf Marku dhe Visar Zhiti, të njohur në poezi dhe prozë, së fundi, janë përfshirë në një antologji ndërkombëtare,e cila botuar në Britaninë e Madhe. Antologjia i referohet 100 poezive më të njohura dhe të qarkulluara, që sipas kuratorëve të tyre kanë ndikuar artistikisht në shekullin e njëzetë për mbrojtjen e vlerave të së Drejtës së Njeriut. Antologjia Fire in the soul po shitet suksesshëm në sistemin e Librarive prestigjioze angleze "Waterstone".
Ajo është fryt i punës së stafit të kritikës letrare të Shtëpisë Botuese "New Internationalist" e Oxfordit dhe përmbledh veç autorëve shqiptarë disa nga autorët që kanë bërë epokë me krijimtarinë e tyre. Të tillë si Ana Akhmatova, Paul Celan, Margaret Atwood, Pablo Neruda, Adrienne Rich, nobelistja polake Wislawa Szymborska, Nazim Hikmet, dy shqiptarët e shumë e shumë të tjerë. Dashuria e Visar Zhitit, që mbyll listën e autorëve dhe Kali i Kaligulës së Rudolf Markut janë përfaqësimi shqiptar në këtë antologji. Ka kohë që dy autorët shqiptarë janë shumë të njohur në letërsinë e huaj. Më aktivi duket se ka qenë Visar Zhiti, ndërsa sa i përket Rudolf Markut duhet thënë se ka qenë shumë i pranishëm në letrat shqipe për një kohë të caktuar, ndërsa tashmë është pak më larg, por asnjëherë i larguar krejtësisht prej saj. Puna dhe krijimtaria cilësore në fushën e poezisë dhe prozës ka qenë një nga elementët që i ka përfshirë të dy autorët në këtë antologji, ku spikasin disa nga emrat legjendë të shkrimit si Ahmetova, Neruda dhe Szymborska.