Dy punonjës të OSSH-së, nën hetim për abuzime
Abuzimet me faturat e energjisë elektrike kanë vënë nën hetim dy punonjës të OSSH-së së Durrësit. Ndaj një inxhinieri dhe një lexueseje të matësve të energjisë elektrike, të dy punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në degën e qytetit bregdetar, ka nisur procedimi penal për shpërdorim të detyrës. Burime të Policisë së Durrësit bënë të ditur se shtetasit në ngarkim të të cilëve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë janë 27-vjeçari L.M., lindur në Skrapar e banues në lagjen 8 Durrës, me detyrë inxhinier pranë OSSH-së dhe B.V., 54 vjeçe, nga Durrësi, me detyrë lexuese e matësve të energjisë pranë OSSH-së dega Durrës. Të dy punonjësit, në bazë të denoncimeve të bëra nga qytetarët, dyshohet se kanë kryer abuzime në vendosjen e faturave të energjisë elektrike dhe matësve të energjisë. Abuzimet me faturat e energjisë elektrike janë kthyer në një fenomen të rëndomtë në Durrës. Ndërsa zona të tëra rurale dhe kryesisht ato të konsideruara si informale, për shkak të popullimit nga të ardhurit nga rrethe të tjera të vendit janë debitorë të rregullt, konsumatorët e rregullt marrin fatura të mbingarkuara në vlera për kilovatë të pakonsumuar realisht prej tyre. Ndërkaq punonjës të OSSH-së për individët debitorë arrijnë të fusin në xhepat e tyre shuma të caktuara, duke abuzuar me detyrën dhe duke rënduar ata që shlyejnë rregullisht detyrimet për të rritur nivelin e arkëtimeve.
#