E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy sfidat e sotme të superligës përfundojnë me barazime

Dy sfidat e javës së 8-të të Superligës që u luajtën sot, Skëndërbeu- Dinamo dhe Flamurtari- Shkumbini, kanë përfunduar me barazime 1-1.
Pas barazimit 1-1 në fushën e vështirë të Skëndërbeut të Korçës, skuadra e Dinamos vazhdon të ruajë kryesimin e kampionatit shqiptar. Për Dinamon shënoi argjentinasi Rafael Alfredo Soza në minutën e 4-t, ndërsa për korçarët barazoi futbollisti i ri, Erlis Frashëri, në minutën e 26-të. Ky ishte barazimi i dytë në transfertë i Dinamos, pas atij me Vllazninë (0-0). Me rezultatin e sotëm, Dinamo u ngjit në kuotën e 20 pikëve. Për Skënderbeun ky ishte barazimi i parë në këtë kampionat dhe skuadra korçare u ngjit në kuotën e 10 pikëve.
Edhe sfida Flamurtari - Shkumbini e zhvlluar sot në stadiumin e qytetit të Vlorës përfundoi në barazim 1-1. Miqtë nga Peqini shënuan në minutën e 9-të me anë të sulmuesit Roland Dervishi. Për vlonjatët shënoi me penallti në minutën e 28-të sulmuesi Devis Mema.
Pas këtij barazimi Flamurtari vazhdon të mbetet i fundit në renditje, me 7 pikë në 8 ndeshje, po aq sa Vllaznia e Gramozi. Ndërsa Shkumbini u ngjit në kuotën e 8 pikëve, duke mbajtur vendin e 9-të.
Nesër skuadra e Besës së Kavajës, që mban vendin e dytë në Superligë, do të presë ekipin e Apolonisë, që renditet në vendin e tretë, në një sfidë mjaft të rëndësishme, për të vendosur se cila skuadër do të jetë ndjekësja më e afërt e Dinamos në luftën për titullin kampion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›