E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikoliç: Kryetar për serbët dhe shqiptarët

Betimi

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliç, anëtar i Partisë së Pavarur Liberale, para dy ditësh ka bërë betimin në një seancë konstituive të Kuvendit të Komunës së Shtërpcës. Pasi këshilltarët serbë e shqiptarë kanë dhënë betimin në gjuhët e tyre, Kuvendi ka zgjedhur edhe kryesuesin e vet. Me 14 vota pro dhe 4 vota kundër, për kryetar të Kuvendit Komunal të Shtërpcës është zgjedhur Dejan Mërgjinac i SLS-së. Për zëvendëskryesues pa u votuar fare, por mbështetur në ligjin për Vetëqeverisjen Lokale është zgjedhur Hamdi Aliu i PDK-së. Me këtë rast para këshilltarëve ka folur edhe kryetari i komunës, Bratisllav Nikoliç, i cili është zotuar se do të punojë në të mirë të të gjithë qytetarëve të kësaj komune. Nikoliç me këtë rast ka vlerësuar se po vjen një kohë e re për Komunën e Shtërpcës, ku askush nuk do të jetë i diskriminuar, por i barabartë. Ai tha se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare. "Zyra ime do të jetë e hapur për të gjithë. Unë dua të gjithëve t'u jap shembull se si në Komunën e Shtërpcës mund të jetohet në respekt reciprok dhe tolerancë", tha Nikoliç.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›