E Diel, 1 Nëntor 2026

Papandreu: Nuk do të lëmë Eurozonën dhe sdo marrim kredi

Kriza

Deklaratat me rastin e 100-ditëshit të qeverisë së tij
Dje, Kryeministri grek, Papandreu, deklaroi se vendi i tij nuk do të dilte nga Eurozona dhe nuk do të kërkonte ndihmë financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por premtoi se reforma fiskale e vendit të zhytur në borxhe nuk do të dëmtonte të varfit. “Nuk ka shkak që Greqia të tërhiqet nga Eurozona apo të kërkojë ndonjë ndihmë financiare, si për shembull nga FMN”, deklaroi Papandreu në një konferencë për shtyp me rastin e 100 ditëve të tij në pushtet. Ai tha se Greqia donte që të vendoste besimin dhe sigurinë te kreditorët dhe se ishte i bindur se gjërat do të shkonin mirë. Megjithatë, ai paralajmëroi në lidhje me ndershmërinë e masave fiskale që pritet të adoptojë vendi i tij. “Nuk do të ishte një masë kurajoze, nëse barra do të binte mbi supet e të varfërve dhe kjo nuk është politika jonë”, deklaroi Papandreu. “Disa bankierë apo persona të tjerë jashtë Greqisë mund ta pëlqejnë një gjë të tillë, por ju them me bindje se do të shkojmë drejt një modeli tjetër. E kemi thënë se ata që kanë më shumë do të paguajnë më shumë, përfshi edhe bankat”, deklaroi dje Kryeministri grek, duke shtuar se nuk do të kishte rritje të TVSH-së. Qeveria e re socialiste greke do të diskutojë në një mbledhje të kabinetit në lidhje me një plan për të ulur deficitin nga 12.7% të Prodhimit Kombëtar Bruto nën 3% brenda një periudhe kohore 3-vjeçare. Nën presionin e BE-së, Greqia po harton një plan fiskal për ta sjellë buxhetin në normalitet. Po dje, Papandreu e pranoi që kishte pasur parregullsi në të dhënat statistikore që Greqia kishte çuar në Bruksel dhe se Parlamenti do të hetonte në lidhje me një fakt të tillë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›