Dy studentet në gjendje kome nisen drejt Austrisë
Dy studentet që ndodhen në gjendje kome, që pas pasdites së të hënës, kur u aksidentuan në Qafën e Vishës në Himarë, u transportuan sot për në Austri. Studentet që do të kurohen në spitalet më të specializuar austriakë, ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Bëhet fjalë për 21-vjeçaret Florije Peci, që ka dëmtime në kokë, trup dhe shtyllën kurrizore, shembje të gjoksit dhe barkut dhe Eriselda Guberes, e cila ka dëmtime të shpretkës, hemorragji të brendshme, dëmtime të veshkës unike, si dhe të disa vertebrave të zonës së kurrizit.
Vajzat janë në gjendje kome dhe shpresohet se falë trajtimeve të specializuara ato të fitojnë betejën me vdekjen. Transportimi i tyre nga Spitali Ushtarak u bë me 2 autoambulanca të spitalit dhe nga një ekip mjekësh të specializuar, të posaçme për këtë rast, në drejtim të aeroportit ”Nënë Tereza”, ku janë transportuar më pas me avion special drejt Vjenës, raporton Ora News. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe drejtori i Spitalit Ushtarak Bedri Mihja kanë përcjellë dy vajzat deri në aeroportin e Rinasit.