E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta e Studentit, kartë e djegur

Share

Nga Përparim Halili

Megjithëse qeveria e shërbesave e drejtuar nga S. Berisha erdhi në pushtet në vitin 2005 edhe nëpërmjet votave të studentëve shqiptarë, me premtimin e bujshëm për futjen në zbatim të Kartës së Studentit, pas 7 vitesh pushtet kjo nuk është realizuar ende. Edhe pse Lulëzim Basha, gjatë fushatës elektorale për të zaptuar bashkinë e Tiranës, në 3 premtimet kryesore që shpalli se do të realizonte brenda vitit 2011, kishte futjen në zbatim të Kartës së Studentit brenda muajit shtator 2011, këtë nuk e ka bërë realitet as deri sot në maj 2012.

Të 120 mijë studentët shqiptarë (sipas shifrës së kryeministrit Berisha), vazhdojnë të mos jenë përfshirë në trajtimin me Kartë Studenti, e cila u krijon atyre lehtësi financiare në shumë shërbime vetjake dhe angazhim pa pagesë e pa kufizime të tjera në aktivitete të ndryshme publike e private. Prej 7 vitesh qeveria po e trajton Kartën e Studentit jo si detyrim, por si nder dhe vazhdon ta servirë këtë të drejtë, si kartë demagogjike, se do tua japë dhuratë studentëve shqiptarë. Si premtim dhe dhuratë personale e trajtoi Kartën e Studentit kryeministri Sali Berisha në fushatën elektorale të zgjedhjeve të vitit 2005, të vitit 2007, të vitit 2009 e të vitit 2011. Si premtim dhe dhuratë personale e trajtoi Kartën e Studentit dhe kryebashkiaku Lulëzim Basha gjatë fushatës elektorale lokale të 8 majit 2011. Dhe të dy së bashku Berisha e Basha vazhdojnë ta servirin si të tillë këtë mashtrim, sa herë që ua përmend media, apo sa herë që ua kërkojnë studentët.

Nga bisedat që kam bërë, kam dëgjuar se shumica e shqiptarëve, madje dhe shumë studentë në Tiranë e rrethe, mendojnë se Karta e Studentit është një humanizëm i qeverisë dhe dhuratë personale e kryeministrit Berisha për studentët shqiptarë. Në fakt, realiteti është krejt ndryshe, mbasi Karta e Studentit nuk është as lëmoshë e ministrit të Arsimit, as bonus humanitar prej kryetarit të bashkisë Tiranë dhe as dhuratë njerëzore e kryeministrit. Duhet të dihen dy gjëra:

1. Mashtrimi i tejzgjatur me Kartën e Studentit, nuk është mëshirë apo dëshirë private e kryeministrit, por është ligj i detyrueshëm për zbatim prej qeverisë, prej kryeministrit Sali Berisha, prej ministrit të Arsimit dhe ministrive të tjera linjës, ku përfshihen shërbimet e detyrueshme që parashikon kjo e drejtë ligjore.

2. Premtimi për dhuratë personale dhe demagogjia e pa fund e kryebashkiakut të Tiranës Lulëzim Basha me Kartën e Studentit, nuk është asgjë tjetër, por veçse një mashtrim i bërë ndaj studentëve në fushatën elektorale të 8 majit 2011 për tu zhvatur votën, mbasi akordimi dhe futja në zbatim e Kartës së Studentit, nuk është aspak e drejtë dhe as kompetencë ligjore e asnjë kryetari bashkie e komune, por është ligj që zbatohet vetëm nga qeveria.

Sa për saktësim e dijeni, Kartën e Studentit e garanton dhe e detyron për zbatim, LIGJI PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, Nr. 9832, datë 12.11.2007, i hartuar në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, në nenin 56 të të çilët përcaktohet dhe sanksionohet kjo e drejtë, me 4 pika:

1. Studentët e institucioneve publike e private të Arsimit të Lartë pajisen me kartën e studentit, e cila është dokument unik. Me anë të saj, studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.

2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kartës së studentit.

3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse, që mbulon institucionin e arsimit të lartë.

4. Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë e me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme.

Edhe pse pajisja me Kartën e Studentit është e sanksionuar dhe e njohur me ligj, e detyrueshme për zbatim që në sekondën kur miratohet ligji, kryeministri Berisha jo vetëm nuk e ka zbatuar dhe nuk po e zbaton prej 5 vitesh nga dalja e ligjit, por vazhdon të luaj me këtë të drejtë ekonomike studentore, duke e përdorur si Kartë elektorale, duke e kthyer në mjet demagogjik dhe kartë të djegur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›