Dy të lënduar në aksidente, dëmtohen disa mjete
Vlorë- Katër aksidente kanë ndodhur sot në qytetin e Vlorës, duke kthyer sërish shifrat e frikshme të ditëve të verës referuar këtij fenomeni. Dy persona janë dëmtuar, ndërsa dëmet materiale i kanë kaluar ato të ditëve të zakonshme. Në spitalin rajonal të Vlorës janë paraqitur sot për ndihmë një 56-vjeç nga Novosela dhe një 19-vjeç, nga qyteti i Vlorës. Ky i fundit është aksidentuar pranë kryqëzimit që con tek kapelja, ku duke qenë nën drejtimin e motorrit është përplasur me një automjet. Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, por edhe tejkalimi i shpejtësisë,ka qenë sipas policisë shkaku i aksidentit. Më tepër dëme materiale ka sjellë një tjetër aksident i ndodhur pranë Aulonës, në Ujë të Ftohtë. Një automjet tip Jaguar me targa FR 7707 B, ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga kryesore e duke u përplasur me katër mjete të parkuar dhe në fund te muri i një banese. Pjesa e përparmë e automjetit ka hyrë tërësisht në mur, duke e rrëzuar pjesën e tullave, ndërkohë që drejtuesi i ka shpëtuar mrekullisht përplasjes, ndihmuar nga aerbegu. Persona që kanë parë skenën pohojnë se mjeti ka ecur me shumë shpejtësi në rrugën kryesore me drejtim në Ujin e Ftohtë dhe pas një manovre të dështuar ai është ngjitur në trotuar e më pas përplasur. Skena e pazakontë, ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, duke shkaktuar edhe panik te ta, ndërsa fatmirësisht i kanë shpëtuar dëmtimit një grup personash që ndodheshin fare pranë vendit ku u përplas automjeti. Dëmtime të shumta ka patur te mjetet e tjerë të parkuar, të cilëve nuk u ka mbetur tjetër vecse të lajmërojnë agjensitë përkatëse të siguracionit.