Karburantet, në treg ka kufizim konkurrence
Tiranë- Në tregun e karburanteve ka kufizime të konkurrencës, si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë.
Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur për atsh-në se ka përfunduar një raport "Mbi hetimin e thelluar në tregun e karburanteve".
Sipas burimeve zyrtare të këtij Autoriteti , në raport është konkluduar se "vihen re kufizime të konkurrencës në treg si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë".
Lidhur me këtë çështje, burimet thanë se në mbështetje të ligjit "Për Mbrojtjen e Konkurrencës" dhe Kodit të Procedurave Administrative, Autoriteti i Konkurrencës ka ftuar ndërmarrjet nën hetim të tërheqin një kopje të raportit dhe të paraqesin pretendimet e tyre në seancën dëgjimore të datës 26 dhjetor 2008.
Sipas burimeve të mësipërme, pas përfundimit të seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, Komisioni i Konkurrencës do të vendosë me objektivitet nëse ka patur apo jo shkelje të ligjit "Për Mbrojtjen e Konkurrencës", duke marrë vendimet përkatëse.