Sejdiu: Plani gjashtëpikësh nuk është një dokument obligues
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu është shprehur sot se EULEX i do të jetë një mandat evropian, por Prishtina insiston që "Kushtetuta e Republikës së Kosovës të jetë përcaktuesi themelor, i cili duhet të respektohet si kornizë ligjore". Deklarata është bërë gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, ku ai ka theksuar se dëshiron që edhe kjo të jetë në realizim të plotë, për të mos lënë asnjë laramani të legjislacioneve, siç dëgjojmë nganjëherë qoftë të UNMIK-ut apo të legjislacioneve të tjera të atyre ish ligjeve të aplikueshme që janë përdorur, përderisa janë nxjerrë ligjet e Republikës së Kosovës.
Në lidhje me planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Sejdiu tha se nuk është një dokument obligues, sepse as në Këshillin e Sigurimit nuk ka pasur ndonjë vendim të veçantë apo ndonjë përmbajtje e cila, në një apo në formë tjetër do të impononte zbatimin e këtyre pikave. "Kini parasysh se për relevancë paralele në dokumentin apo në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB së është edhe vetë qëndrimi i Prishtinës, pra ai i shprehur në katërpikëshin tonë", tha Sejdiu.
Ai vlerësoi se katër pikat e Prishtinës që kanë një përmbajtje shumë esenciale kundërshtojnë çdo qasje, e cila ka anashkaluar dhe është kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Presidenti Sejdiu theksoi se institucionet e Kosovës gjithmonë kanë qenë dhe janë për një dialog me Beogradin për çështje që janë të interesit të të dyja shteteve sovrane e që kanë të bëjnë "me çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve, me parandalimin e krimit të organizuar, me bashkëpunimin ekonomik, në fushën e energjetikës apo në fusha të tjera, dhe për të lëvizur bashkazi si dy shtete sovrane në proceset e integrimeve".
Por ai hodhi poshtë çdo mundësi dialogu me Beogradin për temat, të cilat në një apo formë tjetër "do të bënin ndërhyrje në strukturën e brendshme shtetërore të Kosovës dhe sovranitetin e saj", apo për tema që "do të preknin çështje të statusit". /REL/