E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të rinjtë nacionalistë, të pafajshëm nga gjykata

 

GJIROKASTER

Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër pushon çështjen ndaj dy djemve të fshatit Toç në Tepelenë, të cilët 1 vit më parë lëshuan thirrje anti Kserës dhe Bollanos. Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili, të cilët u akuzuan nga Prokuroria e Gjirokastrës për veprën penale të “organizimit të paligjshëm të tubimeve”, lanë sallën pas 4 seancash gjyqi. Në seancën e fundit gjyqësore, kryesuesi i trupit gjykues së kësaj çështjeje Shkëlqim Mustafa, i ka rrëzuar të gjitha akuzat e ngritura nga ana e prokurorit të çështjes Përparim Mele për dënimin e tyre me 1 milion lek, duke e cilësuar hetimin të nxituar. Sipas gjykatësit Mustafaj, çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë gëzon të drejtën për të protestuar paqësisht edhe pa lejen paraprake nga ana e autoriteteve policore. “Prok-uroria e Gjirokastrës duhet ta kishte pushuar çështjen vetë, pasi dy të pandehurit Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili nuk kanë konsumuar asnjë vepër penale”, është shprehur në vendimin e dhënë nga gjykatësi Mustafa. Sipas tij, tubimi ka qenë tërësisht paqësor dhe larg frymës konfliktuale. Bazuar në këtë argumentim, Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër vendosi që dy të pandehurit të lirohen nga akuzat e ngritur nga prokuroria dhe të gjitha shpenzimet operative i ngarkohen organit të akuzës. Ngjarja për të cilën u akuzuan dy të rinjtë zë fill më 28 qershor të vitit të kaluar. Banorët të fshatit Toç, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës, organizuan një tubim në hyrje të fshatit të tyre, 100 metra larg rrugës kombëtare Tepelenë-Ballsh, për të protestuar ndaj deklaratave antishqiptare të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, si dhe ndaj prefektit të Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, për pjesëmarrjen e tij në takimin panepirot në Konicë të Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›