E Diel, 1 Nëntor 2026

Strehimi, kredi për 3 mijë familje

 

ADI SHKEMBI

Rreth 3 mijë familje që kanë zënë shtëpitë e ish-pronarëve do të përfitojnë kredi nga shteti, në mënyrë që të lirojnë pronat e zëna. Qeveria pritet të miratojë së shpejti një vendim, i cili vjen në fakt në zbatim të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, të vitit 2004. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha theksoi se ky akt ligjor është edhe një nga premtimet e demokratëve gjatë fushatës së vitit 2005. “Qeveria po përgatitet për të zbatuar edhe një nga zotimet e saj, për t’u dhënë kredi 3 mijë familjeve që ndodhen në shtëpitë e ish pronarëve, në mënyrë që të zbatohet ligji dhe ato të marrin shtëpitë me kredi dhe të lirohen shtëpitë e ish-pronarëve”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij “edhe ky është një zotim i yni elektoral, për të cilin janë marrë të gjitha masat dhe do të fillojë ekzekutimi i tij sa më shpejt. Është qartësuar çdo lloj dokumentacioni. Natyrisht, kredia do t’u jepet banorëve që janë në këto shtëpi dhe në këtë mënyrë, të mund të marrë rrugë edhe ky problem i rëndësishëm”. Ndërkohë, sipas ligjit të vitit 2004 të miratuar nga qeveria e drejtuar nga Kryeministri Fatos Nano, përcaktohej se qiramarrësit që kanë zënë shtëpitë e ish-pronarëve janë të detyruar të paguajnë qira deri në dy vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit, çka do të thotë se paguajnë deri në vitin 2006. Më pas shteti është i detyruar të sigurojë strehimin e tyre dhe marrjen e kredive me interes të ulët. “Banesat, prone e subjekteve te shpronësuara, lirohen nga qiramarrësi brenda një afati trevjeçar. Qiramarrësit vazhdojnë te paguajnë një qira të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave deri në dy vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Këshilli i Ministrave ngarkohet të sigurojë strehimin e qiramarrësve, që kanë statusin e të pastrehëve, nëpërmjet banesave me qira të ulët, kredive me interes të ulët ose banesave me qira të kompensuar nga shteti”, thuhet në pikën 1, neni 9 i ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Ndërkohë në pikën 2 të po këtij neni thuhet se “në rastet e banesave të ndërtuara në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, banorët e tyre kanë të drejtën e blerjes së truallit gjatë procesit të legalizimit të përcaktuar me ligj të veçantë. Vlerësimi i truallit bëhet sipas vlerës së tregut në momentin e kryerjes së legalizimit të banesave”.
Oborret në përdorim
Kryeministri Berisha paralajmëroi gjithashtu, se në një nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë do të miratohet ligji i oborreve në përdorim. Kështu sipas ndryshimeve ligjore, të cilat janë duke u përgatitur në Ministrinë e Drejtësisë dhe do të kalojnë më pas në Qeveri, oborret do të kalojnë nga pronësia e shtetit tek pronarët e tyre. “Po në ditët e ardhshme, ne do të kalojmë në parlament ligjin e trojeve në përdorim. Janë me mijëra e mijëra familje autoktone të qyteteve, të cilat për babëzinë e diktaturës dhe për paranojën e saj që çdo gjë të ishte shtetërore, edhe trojet, edhe oborret e shtëpisë ua kishte përcaktuar në përdorim”, theksoi Berisha. Sipas tij “tani ato do të kalojnë të gjitha në pronësi, ashtu siç atyre u takon. Po përpiqemi që problemeve të pronësisë t’u japim një shtytje para, ndonëse janë probleme të komplikuara. Por çështja e oborreve të shtëpive është e zgjidhshme. Kështu, duke i ndihmuar shumë nga këto familje dhe me kredi bankare, ato do ta kenë shumë më të lehtë që të bëhen me  shtëpitë e tyre”.

Ligji aktual për banesat e ish pronarëve

Neni 9

Banesat

1. Banesat, pronë e subjekteve të shpronësuara, lirohen nga qiramarrësi brenda një afati trevjeçar. Qiramarrësit vazhdojnë të paguajnë një qira të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave deri në dy vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Këshilli i Ministrave ngarkohet të sigurojë strehimin e qiramarrësve, që kanë statusin e të pastrehëve, nëpërmjet banesave me qira të ulet, kredive me interes të ulet ose banesave me qira të kompensuar nga shteti.

2. Në rastet e banesave të ndërtuara në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, banorët e tyre kanë të drejtën e blerjes së truallit gjatë procesit të legalizimit të përcaktuar me ligj të veçantë. Vlerësimi i truallit bëhet sipas vlerës së tregut në momentin e kryerjes së legalizimit të banesave.

Berisha: “Bashkitë, toka për pronarët”
Kryeministri Berisha u kërkoi në fund të dhjetorit bashkive dhe komunave, që të veçojnë toka për kompensimin e ish-pronarëve. “Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive të vendit, që në territorin e bashkive të tyre të veçojnë toka, në mënyrë që ne të mund t’ua ofrojmë ato pronarëve për kompensim. Çdo bashki e ka këtë mundësi, nga Kukësi deri në Gjirokastër. Ky do të jetë një shërbim shumë i madh, që ne i bëjmë stabilitetit dhe zgjidhjes së problemit të pronësisë”, theksoi Berisha.

“Oborret në përdorim” gati ligji
Këshilli i Ministrave do të miratojë në një nga mbledhjet e afërta ligjin për kthimin te pronarët të oborreve, që gjatë regjimit komunist u shtetëzuan për t’ua dhënë atyre në përdorim. Burime nga qeveria bëjnë të ditur për gazetën, se ligji është duke u përfunduar në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas ai do të kalojë në Qeveri për tu miratuar. Në fund ligji do t’i nënshtrohet debatit në komisionet parlamentare se të miratohet në seancë plenare.

Kushtetuta e vitit 1976 shtetëzoi oborret
Me miratimin e Kushtetutës në vitin 1976 u vendos përfundimisht që oborret të mos u lejoheshin më individëve, por të kalonin në pronësi të shtetit dhe t’u jepeshin ish-pronarëve vetëm në përdorim. “Është fakt se në zyrat e regjistrimit të pasurive janë mijëra e mijëra familje shqiptare, të cilat kanë ndërtuar shtëpitë mbi trojet, pronën e tyre, kanë edhe oborrin tërësisht të tyre, por ato vazhdojnë të njihen si oborre ose troje në përdorim, ndërkohë kur ato janë tërësisht pronë e të zotëve të shtëpisë”, deklaroi pak kohë më parë Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›