E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të rinjtë u vranë për një femër, 4 në pranga

MAMURRAS/ Diamantin e Bledar Preçi, Rudolf Ndoci e Emi Allamani përfunduan në pranga mbrëmjen e së hënës


I plagosuri Albert Seiti ndërroi jetë mëngjesin e së hënës në Spitalin Ushtarak ku u shtrua në gjendje të rëndë me shumë plagë në trup


MAMURRAS - Mëngjesin e së hënës ka ndërruar jetë në spital person i dytë i plagosur mbrëmjen e së dielës në një atentat, ndërsa rreth orës 20:30 policia ka vënë në pranga katër shtetas, mes tyre edhe një vajzë, e cila dyshohet të jetë edhe strumbullari i ngjarjes. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se në pranga kanë përfunduar shtetasit Diamantin Preçi, 23 vjeç, Bledar Preçi, 17 vjeç, Rudolf Ndoci, 23 vjeç, të tre banorë të Milotit, si dhe 20-vjeçarja Emi Allamani nga qyteti i Mamurrasit.


Të gjithë këta persona akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese të kryer në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë viktimat janë Ersid Rama, 23 vjeç, i cili ndërroi jetë në vendngjarje dhe Albert Seiti, 25 vjeç, që vdiq në spitalin ushtarak.


Ngjarja


Burime nga policia bënë të ditur se dyshohet që ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie. Një nga autorët e ngjarjes dyshohet që të ketë qenë i fejuar me një vajzë, ndërkohë që kjo e fundit dyshohet të jetë ngacmuar nga 23-vjeçari Rama, i cili ishte drejtuesi i makinës në të cilën u gjet i vrarë.


Si rrjedhojë, disa ditë më pare, ky i fundit është kërcënuar, teksa dyshohet se të dielën do të realizohej një takim mes dy palëve dhe se Rama me Seitin po shkonin në takim kur u është ngritur pritë. Është pikërisht ky fakti që, sipas policisë, 25-vjeçari i plagosur kishte armë me vete.


Ndaj dy të rinjve mësohet të jenë zbrazur 27 plumba, po aq saç ishte numri i gëzhojave të gjetura në vendngjarje. Ersid Rama gjeti vdekjen në vend, ndërsa Seiti u dërgua në spitalin ushtarak në gjendje të rëndë, ku edhe ndërroi jetë.


Burime nga vendngjarja bënë të ditur se ai kishte në dorë një armë, ndërkohë që një pushkë u gjet në afërsi të automjetit ku ndodheshin dy viktimat. Në vendngjarje janë sekuestruar dy armë automatike, si dhe një pushkë gjysmëautomatike. Pas largimit nga vendngjarja autorët kanë braktisur edhe automjetin me të cilin kishin udhëtuar.


Operacioni


Ngjarja e ndodhur rreth orës 21:45 të mbrëmjes së të dielës bëri që në operacionin për zbulimin dhe kërkimin e autorëve të ngjarjes të angazhoheshin 120 forca policie të Lezhës, si dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës. Në orët e para të mëngjesit të së hënës policia deklaroi se kishte bërë të mundur identifikimin e dy autorëve, ndërsa u ofrua një shumë prej 10 mijë dollarësh për personat që do të jepnin informacion lidhur me vendndodhjen e tyre.


Rreth orës 17:30, pas postblloqeve të ngritura dhe krehjes së zonës, në afërsi të fshatit Borizanë të Krujës u gjet i braktisur një automjet me targa të huaj, i cili u dyshua se i përkiste autorëve të krimit. Më pas, rreth orës 20:30 u ndaluan katër persona e pikërisht shtetasit Diamant Preçi, 23 vjeç, Bledar Preçi, 17 vjeç, Rudolf Ndoci, 23 vjeç, të tre këta shtetas nga Miloti. Gjithashtu në pranga përfundoi edhe 20-vjeçarja Emi Allamani.


Arrestimi i tyre u bë në një fshat të Milotit. Burimet zyrtare të policisë së Lezhës bënë të ditur se ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", e kryer në bashkëpunim, si dhe "armëmbajtje pa leje". Për këtë ngjarje nga ana e policisë janë sekuestruar dy autovetura, dy automatikë, një pushkë, si dhe 6 aparate celularë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›