Debate të ashpra mes prokurorit dhe kryegjyqtarit të "bandës" së Durrësit për dy deklarime
BANDA
TIRANË- "Nuk e di, z.kryetar pse mbani dy standarde për të njëjtin fakt, pasi për shtetasit Vangjel dhe Teuta Sotiri që ndodhen edhe ata në Itali është lejuar leximi i deklarimeve të tyre, ndërsa për Denis Xhilagën dhe Geri Bejën nuk më lejoni, kjo ndoshta është nga paaftësia juaj për ta lexuar drejt ligjin ose keni ndonjë arsye tjetër, që kërkoi të ma thoni në të kundërtën unë refuzoi të vazhdoi me marrjen e provave të akuzës deri në leximin e këtyre dy deklarimeve".
Kështu iu drejtua për të disatën herë dhe me një ton të lartë e kërcënues prokurori Anton Martini kryesuesit të pesëshesh gjykuese të "bandës" së Durrësit gjyqtarit Gurali Brahimllari.
Ky i fundit i këshilluar me anëtarët e tjerë të trupit gjykues vendosi të mos pranoj në këtë fazë kërkesën e përsëritur të prokurorit Martini për leximin e dy deklarimeve, me argumentimin se dy dëshmitarët Xhilaga e Beja janë thirrur si dëshmitar edhe nga ana e mbrojtjes, të cilët janë zotuar se do i sjellin në seancën gjyqësore në të kundërtën do të bëhet leximi i deklarimeve të tyre.
Por, ky vendim e ka acaruar prokurorin Martini, i cili ka vendosur që mos të vazhdoi me marrjen e provave deri në leximin e këtyre dy deklarimeve të dëshmitarëve të pranishëm në momentin e vrasjes së Dritan Dishës dhe plagosjes së dy personave të tjerë.
Por, kryesuesi Brahimllari i këshilluar edhe me anëtarët e tjerë të trupi gjykues, paralajmëroi prokurorin Martini se për këtë sjellje jo etike dhe refuzuese të marrjes së provave, do të njoftoi drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Olsian Çela dhe vetë Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, të cilëve do iu dërgohet edhe një kopje e procesverbalit të seancës së djeshme gjyqësore me debatet mes kryegjyqtarit dhe prokurorit.
Edhe përkundër qëndrimit refuzues të prokurorit, kryegjyqtari i çështjes u zotua se në seancën e radhës do të thërras për t'i pyetur pesë dëshmitarët e radhës të kërkuar nga akuza, shtetasit Dailan Camaj, Ramazan dhe Erind Lame, Ena Priftin dhe Artan Shabanin. Ndërkaq, avokatët mbrojtës një zëri e cilësuan kërkesën e prokurorit dhe sjelljen e tij si një presion i hapur që i bëhet Gjykatës për Krime të Rënda që po gjykojnë dosjen penale me 16 të pandehur të "bandës" së Durrësit.
Ndërkohë, po gjatë seancës se djeshme gjyqësore e cila u ndërpre disa herë për shkak debateve dhe kërkesave të ndryshme edhe të përsëritura nga palët, gjykata i rrëzoi kërkesën avokatëve për ballafaqimin e dëshmitares G.J. e njohur si motra e ish-Misit të Skraparit e rrëmbyer për 18 muaj me oficerin e policisë Albert Shyti si dhe pyetjen vëllait të bukuroshes së rrëmbyer dhe tre pronarëve të lokaleve ku shtetasja G.J. ka punuar në atë kohë.
Ndërsa, dje ishte thirrur dhe dëshmoi për pak minuta oficeri i policisë Muharrem Haka, që tregoi para gjykatës për këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe makinën e tipit "BMË" me të cilën po udhëtonte shtetasi Marsel Sotiri i cili mbeti i plagosur dhe iu vranë dy shokët që ishin me atë në makinë. Sipas tij, asnjë gjurmë nuk është gjetur në makinë, përkundër pretendimeve se aty është gjetur një armë e tipit "Kallashnikov" e cila është zhdukur më pas në Komisariat të Policisë.