Kontroll nëpër shkolla pas incidentit me armë
Një ditë pas plagosjes me armë në ambientet e shkollës të një 13-vjeçareje në fshatin Zhupan të Fierit, Drejtoria Rajonale e Arsimit ka nisur inspektimet në të gjitha shkollat publike dhe jopublike që ka nën administrim. Mësohet se një qarkore ka mbërritur në çdo drejtori shkolle përpara grupit të inspektimit. Bëhet fjalë për një urdhër i cili i detyron të gjithë mësuesit kujdestarë dhe drejtuesit e shkollave për të ushtruar kontroll të nxënësve kur ata hyjnë në shkollë. Mësuesve kujdestarë u është dhënë urdhër gjithashtu që të marrin kontakt me klasat e tyre jo vetëm gjatë orëve të mësimit, por edhe gjatë pushimit mes orëve, si dhe të shpeshtojnë takimet me prindërit e nxënësve dhe me senatet e shkollave. Nga ana tjetër, grupi i inspektimit ka kontrolluar fizikisht dje nxënësit e disa klasave nëpër shkollat publike të Fierit. Ndërkohë, mësohet se është përmirësuar gjendja shëndetësore e 13-vjeçares Albana B., e cila u qëllua me pistoletë një ditë më parë nga një shoqe e klasës. Por megjithëse vajza po e merr veten dhe është krejtësisht jashtë rrezikut për jetën, mjekët tregojnë ajo rrezikon të humbasë këmbën. "Këmba e saj për pak kohë do të jetë jashtë funksionit dhe ndoshta do të detyrohemi ta presim", tha një mjek i spitalit të Fierit. Nga ana tjetër, autorja e plagosjes nuk ka shkuar në shkollë dje.