Dy vëllezër masakrojnë me mjete të forta pronarin e një lokali
Elbasan – Një sherr banal i ka rrezikuar jetën një pronari lokali në Elbasan, i cili u godit me mjete të forta nga dy vëllezër. Ngjarja ndodhi mbrëmë në fshatin Labinot-Fushë të Elbasanit, kur dy vëllezër, A. Duka, 48 vjeç dhe A. Duka, 42 vjeç, qëlluan me mjete të forta pronarin e lokalit ku po qëndronin, B. Bica. Dy vëllezërit fillimisht kanë nisur një debat me pronarin e lokalit pas një sherri të çastit. Por pas fjalëve të ndërsjella, dy vëllezërit kanë filluar ta godasin pronarin me mjete të forta, të cilat i kanë gjetur përreth. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të identifikuar dhe kapur autorët. Ndërkohë që B. Bica ka marrë plagë të rënda në pjesën e fytyrës dhe të trupit, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia thanë se ndaj dy vëllezërve ka filluar procedimi penal për veprën penale të “plagosjes së lehtë e kryer në bashkëpunim”.
Mashtroi dy persona se do t’i çonte në Greqi, arrestohet
Korçë - Seksioni i Krimit Ekonomik në Policinë e Korçës ka mundësuar ndalimin e 41-vjeçarit Genci Koçi, banues i këtij qyteti, pasi ndaj tij rëndon akuza e mashtrimit për trafik klandestin. Sipas të dhënave, tre muaj më parë ai ka mashtruar dy qytetarë nga qyteti i Elbasanit, duke u marrë atyre shumën prej 3600 eurosh, me qëllim për t’i ndihmuar ata të kalonin kufirin për në shtetin grek, ku edhe janë kapur nga policia greke. Policia ka kryer veprimet procedurale për veprat penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimi” dhe “mashtrimit”, parashikuar nga nenet 298 e 143/2 të Kodit Penal.
5 Maj 2009