E Diel, 1 Nëntor 2026

Bursat nga Bashkia, 1600 nxënës në kryeqytet me notat dhjeta



Bashkia e Tiranës i ka akorduar bursa të gjithë nxënësve që kanë notën mesatare dhjetë. Në shkollat e kryeqytetit janë rreth 1600 nxënës që i kanë të gjitha notat dhjeta dhe shpërblehen nga Bashkia për rezultatet e larta të marra gjatë vitit. Kështu, arsimi i detyruar numëron 911 nxënës, që trajtohen me bursë për rezultatet e arritura në mësime. Ndërsa arsimi i mesëm numëron 699 nxënës në të gjitha shkollat e Tiranës, që trajtohen me bursë. Të gjithë këta nxënës marrin 5 mijë lekë në muaj për shkak të rezultateve të larta në mësime dhe kjo është përdorur si një stimul për të rritur efektivitetin në mësime. Në këtë kategori përfituesish përfshihen të gjithë nxënësit që ndjekin shkollat publike dhe që i kanë të gjitha notat dhjeta. Bashkia ka përcaktuar kriteret që duhet të plotësojë një nxënës për t’u trajtuar me bursë. Dokumentacioni që duhet të plotësojë një nxënës për të përfituar këtë stimul: të ketë rezultate të shkëlqyera në mësime (të gjitha notat përfundimtare 10-a); certifikatë personale me fotografi (banor i qytetit të Tiranës); certifikatë familjare; vërtetim nga shkolla që vazhdon të frekuentojë arsimin publik në vitin pasardhës; nxënësi duhet të jetë i përfshirë në listën emërore të shkollës dhe të Drejtorisë Arsimore Rajonale.

Matura, dorëzohen sot në shkolla të dhënat e maturantëve që kanë kryer gjimnazin jashtë vendit

Dorëzohen sot në shkolla të dhënat e maturantëve që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe duan të vazhdojnë studimet e larta në Shqipëri. Paraprakisht, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) ka dërguar zyrtarisht në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSH), pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyrës Arsimore (ZA), njoftimin ku jepet numri i regjistrimit të çdo kandidati për provimet e Maturës Shtetërore dhe të dhënat që rezultojnë për të në bazë të tabelave “T” të plotësuara nga shkolla. Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore (KSHMSH), menjëherë pas marrjes në dorëzim të të dhënave të maturantët që kanë ndjekur shkollën e mesme jashtë vendit, merr masa që çdo nxënës të njihet me numrin e tij identifikues dhe me të dhënat që rezultojnë për të nga plotësimi i tabelës “T” dhe dërgon reklamimet eventuale zyrtarisht dhe në formë elektronike në në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSH), pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale brenda datës 10 maj. KMSH-ja më pas, i sjell reklamimet eventuale në AVA, me shkresë zyrtare dhe në trajtë elektronike, brenda datës 15 maj. Nxënësit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Shqipëri. Nxënësit që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore (provimet me detyrim D1 dhe D2 dhe ato me zgjedhje Z1 dhe Z2), për t’u pranuar në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik duhet të japin provimet me zgjedhje. KMSH e DAR/ZA-ve cakton shkollën ku kandidati do të kryejë provimet me zgjedhje dhe ku do të plotësojë formularin A2, duke i përcjellë kësaj shkolle dhe notat që ka përcaktuar komisioni i posaçëm.
J.Tashi

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›