Goditi dhe kanosi familjarët e tij, e denoncuan në polici
Tiranë – Forcat e policisë së Komisariatit Nr. 6 kanë ndaluar 22-vjeçarin Romeo Shatrolli, banues në fshatin Yrshek, i proceduar më parë për “dezertim”. Ndalimi i tij u krye sepse ndaj tij kanë deponuar kallëzim familjarët e tij, të cilët kanë deklaruar se ai dyshohet të ketë fyer, kanosur dhe goditur me grushte, për motive të dobëta, në lokalin në pronësi të tyre familjarët e tij. U kryen veprimet procedurale, ndërsa materialet të përpiluara në ngarkim të shtetasit Romeo Shatrolli do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “kanosjes” dhe të “dëmtimeve të tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 84 dhe 90 të Kodit Penal.
I rrëmben varësen e floririt moshatares, arrestohet nga policia
Tiranë – Një adoleshent është arrestuar nga policia pasi i ka vjedhur një varëse floriri moshatares së tij. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë kanë regjistruar denoncimin e 16-vjeçares, e cila deklaroi se i kishin vjedhur varësen, dhe menjëherë u vunë në lëvizje për të identifikuar dhe kapur autorin. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të vjedhjes. Sipas të njëjtave burimeve, policia ka ndërhyrë menjëherë pas deklaratës së vajzës, duke çuar në qeli 16-vjeçarin, të cilit iu sekuestrua edhe varësja e floririt. Ndaj adoleshentit u mor masa e arrestit për veprën penale të “vjedhjes”.
Shtyhet procesi për Fazlliçin, mungojnë avokatët
Tiranë - Gjykata e Tiranës ka shtyrë dje seancën në ngarkim të biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Shkak është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës. Avokati Genc Gjokutaj ka depozituar në gjykatë një raport mjekësor, ndërsa avokati tjetër, Ibrahim Lahe, ishte i pranishëm në një tjetër seancë gjyqësore, atë të Gërdecit. Seanca është shtyrë për në datën 11 maj. Damir Fazlliç depozitoi në gjykatë një kërkesë-ankesë për moszgjatjen e hetimeve nga ana e prokurorisë. Në seancën e djeshme gjykata do të shqyrtonte ankimin e Fazlliçit. Ai ndoqi shembullin e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i cili me vendim të Gjykatës së Lartë i shpalli të pavlefshme hetimet për rrugën Durrës-Kukës.
5 Maj 2009