E Diel, 1 Nëntor 2026

Noka: “Rama, i lidhur me krimin - modeli i tij për policinë janë fëmijët me precedentë penalë të deputetëve të PS”

01-02-2013 / Gazeta 55

Reagon ministria e Brendshme pas akuzave të kreut të PS

Ministria e Brendshme reagoi pas akuzave ditore të kreut të opozitës Edi Rama në drejtim të Policisë. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i ministrisë së Brendshme Leonard Olli deklaroi se, “Rama vijoi sërish sulmet e pa principta ndaj efektivave të Policisë së Shtetit. Ai sërish përdhosi sakrificën dhe përkushtimin e tyre në ruajtje dhe mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarit. Por, me këto sulme ai nuk do të mundë të mbulojë kurrë faktin se është politikani me lidhjet më të forta me krimin dhe botën e tij”.  
Më tej, zëdhënësi i ministri Noka vuri në dukje se  sulmet dhe përbaltja e Policisë së Shtetit në misionin e saj, janë provë e qartë e inkurajimit që Rama kërkon t’i japë krimit. “Këtë sulme janë prova të qarta të frikës që ka kapur atë dhe të gjithë elementët e inkriminuar, që ai mban rreth vetes. Alternativa e vetme që i ofron Edi Rama Policisë, për të përmirësuar marrëdhëniet me publikun, është shembulli i fëmijëve të Gramoz Ruçit dhe Luiza Xhuvanit. I kujtojmë zotit Rama se drejtuesit e korruptuar dhe të inkriminuar, Policia e Shtetit i ka nxjerrë me kohë jashtë radhëve të saj dhe, sot, ata janë rreshtuar vetëm në krah të tij”, theksoi Olli. 
Sipas tij, zoti Rama, para se të flasë për ruajtjen e mbrojtjen e pronës, duhet të japë llogari për vjedhjen dhe përvetësimet e pronave të mijëra qytetarëve të Tiranës, në kohën kur ishte kryebashkiak. Dhe për këtë, e ka marrë një përgjigje më 8 maj.
“I kujtojmë zotit Rama se vullneti i politik i kësaj qeverie e nxori Policinë nga bataku ku e kishte zhytur qeverisja e partisë së tij, i ktheu realisht dinjitetin e nëpërkëmbur, duke e zhveshur tërësisht nga inkriminimi”, vijoi ai.
Në përfundim zëdhënësi  i ministrisë së Brendshme Olli nënvizoi se Policia e Shtetit sot është një organizatë profesionale dhe bashkëkohore, e përkushtuar tërësisht në zbatim të ligjit dhe mbrojtjes së qytetarëve, jetës dhe pronës së tyre.
“Sot, Policia e Shtetit me profesionalizmin dhe rezultatet e shkëlqyera të saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, është një partnere e denjë e homologeve euro-atlantike. Ministria e Brendshme dhe Qeveria shqiptare do të vijojnë të mbështesin pa rezerva strukturat e Policisë së Shtetit në misionin e tyre të shenjtë, garantimin e rendit e sigurisë publike, do apo nuk do Edi Rama dhe shpura e tij, në panik të plotë”, përfundoi zëdhënësi i MB.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›