E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vjet pa doganë

Gjithçka funksiononte për mrekulli, saqë ishin vendosur edhe kamerat për të vëzhguar çdo hyrjedalje nga Kosova për në Serbi. Doganierët shqiptarë dhe serbë, shumë qetë, pritnin dhe përcillnin udhëtarë dhe mallrat në pikat doganore në Leposaviq dhe në Zubin Potok, të njohura si pikat 1 dhe 31.

Kontrabandistëve të naftës, zejes më të përhapur në këtë anë, iu ngushtua rrethi me vënien e themeleve të Doganave të Kosovës në këto pika doganore dhe arka e shtetit u pasurua për 5 për qind. Kështu ishte situata në veri të Kosovës derisa Parlamenti i Kosovës e shpalli pavarësinë dy vjet më parë.

Të indinjuar me vendimin e institucioneve të Kosovës, një grup serbësh shfryen mllefin e tyre në barakat e doganës. Doganierët që mblidhnin taksa në kufirin me Serbinë u ndoqën nga aty dhe vendi i tyre i punës u dogj.

Tash kur janë bërë dy vjet nga kjo ndodhi, ata ende nuk janë kthyer në pikat 1 dhe 31.

Vendin e tyre e kanë zënë doganierë të misionit të EULEX-it, të cilët regjistrojnë mallrat që hyjnë dhe dalin nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.

Alexandra George, zëdhënëse e EULEX-it për dogana, thotë se doganierët e këtij misioni janë prezentë 24 orë në këto pika, në të cilat marrin të dhënat për të gjitha mallrat që hyjnë në Kosovë dhe ua dorëzojnë Doganave të Kosovës në terminalin doganor në Mitrovicë.

Sipas saj, detyrë e tyre është vetëm t’i mbledhin të dhënat personale të vozitësve dhe të gjitha të dhënat për mallrat që ata transportojnë, por nuk mbledhin taksa në kufi.
“Doganierët e EULEX-it nuk mbledhin taksa”, thotë George.

Regjistrimi i mallrave komerciale që hyjnë nga Serbia në Kosovë, përmes pikave kufitare të Leposaviqit dhe Zubin Potokut ka filluar që nga 1 shkurti i vitit të kaluar, ndërsa mundësia që importuesit t’i shmangen doganës përsëri mbetet e madhe. Zyrtarë të Doganave të Kosovës thonë se nuk kanë mekanizëm që t’i detyrojnë vozitësit që të paraqiten në terminalin doganor në Mitrovicë.

Që nga djegia e këtyre dy pikave kufitare dhe mosprezenca e doganës atje, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se kanë bërë përpjekje maksimale për të parandaluar aktivitetet kontrabanduese që janë zhvilluar në atë pjesë.

Në vitin 2008, sipas tij, nga këto pika janë mbledhur 39.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2009 53.2 milionë euro. Dogana e Kosovës e vlerëson se kontrabanda në Veri është zvogëluar në masën 80 për qind, si rezultat i aktiviteteve të rritura të njësive mobile dhe vendosjes së stafit të EULEX-it në këtë pjesë.

“Dogana deri tash e ka kthyer infrastrukturën bazike në ato dy pika kufitare dhe përgjatë kësaj kohe kemi arritur t’i vendosim kontejnerët, gjeneratorët, rrymën, ujin dhe elementet e tjera. E kemi vendosur edhe sistemin e kamerave dhe realisht bëjmë një mbikëqyrje”, thotë Stavileci.

Megjithatë, ai nuk jep ndonjë datë të përafërt se kur do të kenë mundësi përsëri të punojnë bashkë doganierët shqiptarë dhe serbë në pikat 1 dhe 31.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›