Skandali, zbrazet tregu nga vaji
Administrata doganore po kalon në skanerin e saj të gjitha të dhënat për vajin e importuar kohët e fundit, dhe kjo vetëm pas skandalit të publikuar nga autoritetet greke, se në Shqipëri ka hyrë vaj me përmbajtje kancerogjene nga Ukraina.
jorgjeta gjançi
“Jemi ende në procesin e nxjerrjes së statistikave nga të gjithë pikat doganore. Do verifikojmë edhe vendin e origjinës, pra se nga është importuar vaji”, ka thënë dje në një prononcim për gazetën drejtori i përgjithshëm i administratës doganore, Përparim Dervishi. Sipas tij, pasi të kenë marrë të gjitha të dhënat e duhura, do të shikojnë nëse qëndron apo jo shqetësimi i ngritur nga pala greke. “Ende nuk e verifikojmë dot nëse është i vërtetë apo jo ky shqetësim, pasi ekspertët janë duke kryer verifikimet”, tha Dervishi. Por nga ana tjetër, kreu i Doganave ka theksuar se është inspektorati ushqimor, institucioni përkatës që ka për detyrë të kontrollojë cilësinë e vajit që hyn në tregun vendas. Ndërkohë, sipas drejtuesve të policisë së Qarkut të Korçës, vaji i importuar nga firma e përfolur korçare “Dessina Ballkan”, por edhe firma të tjera importuese të vajit nga shteti grek, është i konsumueshëm. Megjithatë dje në tregun e Korçës nuk gjeje vaj të firmës “Dessina Ballkan”.
Importi
Alarmi i dhënë nga pala greke se në tregun shqiptar shitet vaj kancerogjen, duket se ka vënë në lëvizje të gjithë institucionet përkatëse. Punonjës të Zyrës së Luftës kundër Krimit Ekonomik, kanë ndërmarrë një kontroll verifikues për importet e vajit ushqimor nëpërmjet pikës doganore të Kapshticës. Punonjësit e policisë kanë kaluar në sitën e tyre të gjithë dokumentet e importeve të vajit, për të gjithë sasinë e vajit që ka kaluar traun e doganës së Kapshticës që nga muaji prill e deri në maj. Drejtori i Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Korçës, Emri Vata, i cili ka qenë drejtues i këtij kontrolli, është shprehur për gazetën se, “ndryshe nga sa është deklaruar nga importuesit, pas verifikimit të dokumenteve doganore në Kapshticë, ka rezultuar se gjatë periudhës prill-maj është importuar vaj lule dielli si dhe vajra të tjerë. Sasia e tyre ka qenë e konsiderueshme, por dua të nënvizoj se çdo ngarkesë rezulton të ketë qenë e pajisur me analiza të kryera nëpër laboratorë të specializuar të shtetit grek”. Sipas tij, përveç këtyre analizave, për çdo ngarkesë është marrë mostër dhe janë kryer analiza edhe në Laboratorin Ushqimor në Korçë. “Për të gjitha mostrat ky laborator ka mbajtur procesverbal të hollësishëm, që nënvizon pastërti të vajit dhe vlera ushqyese të tij. Nga verifikimet e kryera sot, rezulton se asnjëherë në pikën e kalimit të kufirit Kapshticë nuk është futur vaj i parafinuar, i cili, sipas specialistëve, është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve”, ka theksuar ai.
Zbrazet tregu
Pas alarmit të dhënë se vaji i shitur nga firma “Dessina Ballkan” mund të ketë përmbajtje kancerogjene, në çdo dyqan të Korçës nuk shitej më vaj i kësaj firme. Nuk dihet nëse është shitur e gjithë sasia, apo ka pasur ndonjë fshehje të tij derisa të kalojë situata e krijuar. Banorët e qytetit të Korçës kanë qenë të kujdesshëm në blerjen e asortimentit vaj lule dielli, sepse nuk dihet nëse ai është importuar nga Greqia dhe nga firma të palicencuara. Vetë tregtarët kanë pohuar se ekzistonte te blerësit një panik. Duket se skandali i zbardhur në fabrikat e rafinimit të vajit në Volos të Greqisë, po përcjell frikë te konsumatorët e vajit në Korçë.
Gjana: Panairi, më me rëndësi se çështja e vajit
BERAT - Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, skandalin e vajit të regjistruar ditët e fundit e ka cilësuar temë të parëndësishme përballë ceremonisë për hapjen e panairit agro-ushqimor në Berat. I pyetur nga mediat në lidhje me sasinë e vajit ushqimor, me përbërës kancerogjenë në Greqi, prej të cilit është importuar dhe më tej shpërndarë për konsum për qytetarët shqiptarë, ministri Gjana nuk ka pranuar të prononcohet. Në daljen e parë publike të tij pas 3 ditësh nga shpërthimi i këtij skandali, ai e ka justifikuar fillimisht përgjigjen duke u shprehur se, ende nuk është informuar rreth këtij problemi. Ndërsa më tej ka shtuar se, "këtu në Berat ndodhem për panairin dhe nuk mund të flas për tema të tjera, siç është dhe ajo e vajit, duke i prishur bukurinë këtij panairi". Prononcimi i ministrit vjen në një kohë kur hetime intensive kanë nisur jo vetëm nga pala greke, por dhe nga policia dhe drejtuesit e Bujqësisë në Korçë, pas fakteve të zbuluara se nga dogana e Kapshticës kanë hyrë tonelata të tërë me vaj të dyshuar me rrezik për konsumatorin. Panairi ku ishte i ftuar ministri i Bujqësisë mundësoi fermerët e rajonit të Beratit për të ekspozuar produktet e tyre agro-ushqimore. d.xh
Vaji, sasia e fundit më 2 maj
Sasia e fundit e vajit që është zhdoganuar në doganën shqiptare ka qenë në datën 2 maj. Por ende nuk dihet nëse kjo sasi ka qenë vaj luledielli apo jo. Mungesa e kushteve të forta të kontrollit nga pala shqiptare e bëjnë të vështirë kontrollin e vajit që hidhet në treg. Edhe pse autoritetet shqiptare kanë nisur të kryejnë verifikimet e duhura, askush nuk mund të thotë nëse në tregun vendas shitet vaj me përmbajtje kancerogjene. Doganat kanë nisur të kontrollojnë vendin e origjinës së vajit që është importuar, ndërsa grupi i kontrollit i ngritur nga Ministria e Bujqësisë do të kryejë kontrollin për cilësinë e vajit. Pas lajmit të publikuar në media, konsumatorët shprehen se janë të pasigurt për mallrat që ata konsumojnë.
Ministria greke: Në Shqipëri 38 tonë vaj kancerogjen
Në Shqipëri ka hyrë vaj me përmbajte kancerogjene. Lajmi i frikshëm është konfirmuar nga vetë Ministria e Bujqësisë greke. Sipas saj, rreth 38 tonë vaj i ardhur nga Ukraina ka pasur destinacion Shqipërinë. Ndërkohë autoritetet përkatëse greke kanë bllokuar një sasi të konsiderueshme vaji luledielli të përzier me lubrifikant makinash, i cili ka në përmbajtje të tij elementë kimikë që rrezikojnë jetën e njeriut. Por edhe pse pala greke ka dhënë alarmin për këtë produkt kancerogjen që mund të ketë hyrë në tregun vendas dhe ç’është më e keqja mund të jetë konsumuar nga qytetarët, Ministria e Bujqësisë duket se nuk e ka vënë dhe “shumë ujin në zjarr”. Vetëm pasi skandali pushtoi të gjitha mediat, ministria vendosi që të ngrejë një grup pune dhe ta nisë atë në Korçë, me qëllim që të kontrollojë tregjet. Shqipëria konsumon gati 38 mijë tonë vaj, i cili importohet nga Rusia, Ukraina dhe Hungaria.