E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishohet numri i turistëve që vizitojnë Elbasanin

Turistë e ardhur kryesisht nga vendet e Evropës janë njohur me historinë e lashtë të kalasë së qytetit, si edhe kanë vizituar objektet e kultit, xhaminë "Mbret", kishën "Shën Maria", të cilat ndodhen brenda mureve të kalasë, si dhe Hamamin, Rrapin e Bezistanit, mozaikun paleokristian të zbuluar para dy vitesh, etj.
     
Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, thekson se këtë vit turistët janë njohur edhe nëpërmjet guidës, e cila shfaq të gjitha vendet turistike të qytetit, si edhe historitë e tyre.
     
Pasi njihen me qytetin, shumë turistë i janë drejtuar pikave turistike si në Bushek, por edhe në Llixha, për të shijuar një drekë tradicionale nën ajrin e pastër dhe të freskët në këto zona.

Por çfarë ofron Elbasani? Qyteti i Elbasanit, i njohur fillimisht me emrin "Skampa", është i treti në Shqipëri për nga madhësia. Ai ka qenë një vendbanim i lashtë në kryqëzimin e rrugëve perëndim-lindje dhe veri-jug.
     
Në qendër të qytetit mbretëron Kalaja, e cila tërheq jo pak vizitorë. Pas nuk mbetet as Xhamia e Nazireshës (shek. XVII), Hamami (shek. XVI), Kisha e Shën Mërisë në Kala, Muzeu Etnografik, Kulla e Sahatit, Teqja e Madhe, Teqja e Baba Xhemalit, 4 km larg nga qyteti ndodhet Manastiri i Shën Gjon Vladimirit, i ndërtuar në vitin 1382 nga princi shqiptar Karl Topia.
     
Ndërsa rreth 5 km larg qytetit ndodhen llixhat termale, shumë të njohura në vendin tonë për vlerat e larta kurative ndaj sëmundjeve të ndryshme reumatizmale, etj.

Gjithashtu, po në këtë zonë ndodhet edhe Kisha e Shelcanit dhe ajo e Valshit, të dyja në zonën e Shpatit, që mbajnë autorësinë e mjeshtrit të madh shqiptar Onufri. 20 km larg qytetit ndodhet fshati malor i Gjinarit në Komunën e Shpatit, një vend ku turizmi dimëror pritet të gjejë zhvillim.

Një tjetër vend që paraqet interes për turistët është zona e Dumresë. E njohur si një nga perlat karstike të Mesdheut, Dumreja numëron rreth 85 liqene. Pozicioni gjeografik i favorshëm në zemër të Shqipërisë e bën atë një zonë të lakmueshme, si për turistët edhe për biznesin. Kryeqendra tradicionale e zonës së Dumresë është qyteti i Belshit. /Start/

                                                                                             2011-08-03 17:09
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›