Dyfishohet numri i turistëve që vizitojnë qytetin-muze
BERAT
BERAT - Pranimi i qytetit të Beratit në UNESCO vitin e kaluar, por edhe promovimet e shumta të bëra nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat në internet, kanë bërë që sezoni i ri turistik të shënojë një numër rekord vizitorësh vendas e të huaj në këtë qytet.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar lektorja e muzeut "Onufri" në qytetin e Beratit, Anila Droboniku, e cila ka theksuar se fluksi i turistëve gjatë këtij viti ka qenë në rritje. Vetëm 6-mujori i parë ka shënuar një numër 2 herë më të madh se numri i vizitorëve të së njëjtës periudhe të një viti më parë.
Droboniku është shprehur se 80% e vizitorëve që kanë ardhur në qytetin e Beratit kanë qenë të huaj, pjesa më e madhe nga Gjermania, Austria, vendet skandinave, Izraeli e Franca, ndërkohë që 20% e turistëve kanë qenë studentë e nxënës shkollash nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Lektorja Droboniku ka shtuar se qyteti-muze këtë vit është vizituar nga shumë personalitete, siç kanë qenë ambasadori amerikan Uidhers me bashkëshorten e tij, presidenti bullgar, ish-presidenti bullgar dhe shumë ambasadorë të ndryshëm. Ndërkohë, Droboniku ka pohuar se është për të ardhur keq që vetë banorët e këtij qyteti nuk tregojnë as më të voglin interes për të vizituar qendrën e tij historike e për të njohur ato vlera që e bënë qytetin e tyre pjesë të Trashëgimisë Kulturore Botërore (UNESCO).