E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet kërkesa e padisë së Mediut kundër Sokol Stojanit

26/06/2009  Mediu nuk kishte në dosjen e depozituar në gjykatë, vendimin që kundërshtonte

Ish-ministri i Mbrojtjes paditi edhe Ina Ramën për publikim të sekretit hetimor

TIRANË – Kërkesa e depozituar nga Fatmir Mediu në gjykatën e Tiranës kundër prokurorit Sokol Stojani është shtyrë ditën e djeshme. Gjyqtari Kreshnik Omari e pa të arsyeshme të shtyjë gjyqin, pasi ka lexuar një letër të nisur nga Mediu, i cili theksonte se ishte i angazhuar në fushatë elektorale dhe nuk mund të paraqitej në gjyq. Një tjetër arsye sipas gjyqtarit është edhe fakti se Fatmir Mediu nuk kishte në dosjen e depozituar në gjykatë, vendimin të cilin kërkonte të kundërshtonte. Në këto kushte gjyqtari ka hapur seancën dhe më pas e ka mbyllur atë për të vendosur një datë tjetër për shqyrtim. Fatmir Mediu ndodhet në fushatë elektorale, ndërsa është duke u gjykuar për tragjedinë e Gërdecit ndodhur më datë 15 mars 2008. Ka qenë dosja e Gërdecit ajo që e shtyu Mediun të bëj padi kundër Ina Ramës, Kryeprokurores dhe Sokol Stojanit, prokurorit që është marr me hetimin. Sipas Mediut, Ina Rama së bashku me Sokol Stojanin kanë nxjerrë sekrete të hetimit në një kohë që dosja ende nuk është hapur në Gjykatën e Lartë dhe në shkallët e tjera të gjykimit. Mediu është i vetmi që do të gjykohet në Gjykatën e Lartë. 29 të tjerët janë të bashkuar në një proces dhe do të gjykohen në shkallën e parë të gjyqësorit. Këtë ndarje e bëri disa javë më parë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Sipas këtij vendimi, të pandehurit e marr në procedim penal për ngjarjen e Gërdecit nuk kanë imunitet dhe në këto kushte ata duhet të gjykohen nga shkalla e parë duke u lënë të drejtën të bëjnë ankim edhe në shkallët e tjera. Ndërsa Fatmir Mediu njeriu i veshur me imunitet do të gjykohet në shkallën më të lartë të gjyqësorit. Ende nuk është bërë asnjë proces gjyqësor kundër tij. Madje seanca e parë është shtyrë për mungesë të palëve. Sipas Fatmir Mediut, Ina Rama së bashku me trupën e saj të prokurorëve kanë “ushqyer” mediat me lajme që dalin nga dosja hetimore. Mediu i ka quajtur këto informacione të nxjerra si sekrete hetimore dhe të dala në një kohë që procesi ende nuk ka filluar. Aq më tepër për Mediun nxjerrja e informacioneve nga dosja mund të influencojë në shqyrtimin e çështjes dhe të ndikojë negativisht në publik. Një tjetër padi e ngritur nga Mediu është edhe ajo kundër prokurorit Sokol Stojani për të njëjtat arsye.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›