E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet, shefi i Kufirit Rinas dhe shefi i Kontrollit

26/06/2009  Arrestimi i Murrës në Turqi

TIRANE- Dy drejtues të komisariatit të Rinasit janë shkarkuar nga detyra, pasi dyshohet se janë të implikuar në trafikimin e rreth 200 kg heroinë në Turqi. Me urdhër të Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, është shkarkuar ditën e djeshme nga detyra Shefi i Kufirit të Rinasit Gerin Seitallari si dhe Shefi i Kontrollit në këtë komisariat Granit Halili. Burime pranë policisë së shtetit thanë se shkarkimi i dy punonjësve të policisë ka ardhur pasi ata kanë kryer shkelje të shumta në rregulloren disiplinore dhe për këtë qëllim është marrë vendimi për shkarkimin e tyre. Burimet nuk pranojnë të japin detaje konkrete lidhur me shkeljet e kryera nga Gerin Seitllari dhe Granit Halili, por thanë se një ndër to ka të bëjë edhe me rastin sekuestrimit të rreth 200 kg heroinë në Turqi, ku autoritetet policore të këtij shteti ndaluar në flagrancë pak kohë më parë oficerin e komisariatit të Rinasit Altin Murra. Burimet thanë se materiali hetimor i ardhur nga Stambolli, por edhe nga hetimet që SHKB-ja ka kryer në këtë komisariat, janë konstatuar shkelje të rënda nga dy punonjësit e sipërcituar. Nuk dihet me saktësi nëse policia shqiptare do të kryejë arrestimin e tyre, por në 9 qershor të këtij viti, drejtuesi i policisë Ahmet Prençi deklaroi se lidhur me skandalin e kapjes së Murrës me 200 kg heroinë, edhe në Shqipëri do të ketë arrestime. “Kemi të dhëna të plota në lidhje me oficerin e arrestuar me drogë në Turqi nga policia e Stambollit si dhe në lidhje me personat e përfshirë në këtë rrjet pjesë, të cilët ndodhen dhe veprojnë në Shqipëri”, - ka pohuar Prençi në një deklaratë për shtyp të dhënë prej tij gjatë ceremonisë së mbylljes së mandatit të shefit ICITAP-it. Prençi, gjatë deklaratës së tij tha se pritet që për këtë çështje të ketë një hetim të zgjeruar dhe të plotë nga strukturat e Antidrogës së policisë së shtetit. Ai pohoi se veç Murrës, ka edhe persona të tjerë konkretë, të cilët janë të identifikuar që pritet të arrestohen nga strukturat blu. Më tej kreu i policisë, pohoi se ai kishte shkarkuar nga detyra oficerin e policisë së shtetit, që punonte në seksionin e kufirit si kontrollor pranë komisariatit të policisë së Rinasit. Sipas Drejtorit të Policisë, Prençi, nënkomisar Altin Murra, kishte kërkuar leje pranë eprorëve të tij, me qëllim për të kryer një vizitë mjekësore në Turqi, ndërsa ishte kapur me sasinë e konsiderueshme të lëndës narkotike. Pasi është marrë vesh një fakt i tillë nga autoritetet e policisë turke që kanë informuar policinë shqiptare, mbi ngjarjen, menjëherë ndaj oficerit është firmosur edhe shkarkimi. Aktualisht Murra ndodhet i izoluar në paraburgimet e policisë turke.

Droga me vlerë 8 milionë $

Operacioni i policisë turke

Është 200 kg heroinë, sasia e drogës që është sekuestruar në maunen me targa të Tiranës në të cilën udhëtonte oficeri i komisariatit të policisë së Rinasit, Altin Murra së bashku me biznesmenin Nalton Jacajn dhe shoferin e maunes Burhan Marceku. Sipas burimeve, Murra ka qenë në vendin e pasagjerit në maune, së bashku me biznesmen Jacajn që importonte konfeksione nga Turqia, ndërsa Marceku ishte në timon. Policia turke deklaroi se kishte 6 muaj që hetonte rrjetin e trafikantëve shqiptarë. Operacioni i policisë turke ka nisur mbrëmjen e datës 8 qershor, duke u finalizuar me arrestimin e tre personave. Ndërkohë që nga përllogaritja e kryer rezulton se sasia e heroinës kapte shifrën prej rreth 8 milionë dollarësh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›