Dyfytyrësia antikosovare po fillon të bjerë erë
Karla, e paditur në hetuesi. D. Martin e pret diskreditimi
Pas librit të Karla Del Pontes për transplantet e organeve në një fshat të Matit, asnjëri prej shqiptarëve dhe filoshqiptarëve të huaj nuk e besoi këtë thagmë. Besoj se edhe gjeografëve më të kualifikuar të Matit apo të Burrelit, do t’u duhet kohë që të kujtohen se në ato anë ndodhet një fshat me emrin Gurrë. Shtëpitë janë të pakta në numër. Njëra prej kullave të fshatit Gurrë është një banesë dykatëshe. Është në pronësi të plakut Abdulla Katuçi. Ata që kanë hipur në katin e dytë të kësaj shtëpie, janë ruajtur mirë se mos bien e thyejnë kërbishtet, për mungesë parmakësh. Por edhe ndonjë krah a këmbë mund të sakatohet. Se shkallët me dërrasa të gërryera prej molës janë luhatëse. Me kaq mund të nxjerrim se çfarë pastërtie mund të kemi brenda shkallëve dhe mureve të kësaj kulle të bardhë ose të verdhë, se nuk i dallohet mirë ngjyra!
Edhe një njeri i rëndomtë e di se në këtë lloj “spitali” nuk bëhet dot as një operacion apendiciti. Sepse e merr kur të duash infeksionin dhe shkon për një hiçmosgjë dhe kalon në peritonit. Meqë ngjitja-zbritja e shkallëve është një problem më vete: frrëq-frrëq-i për secilën shkallare dëgjohet gjersa të mbërrish sipër! Shyqyr që nuk rashë...- thua në katin e dytë. Një kirurg i shquar yni, kur kishte dëgjuar se në fshatin Gurrë bëheshin transplante organesh, pasi la mendjen nga çudia dhe kishte pyetur se ku binte ky fshat, ishte shprehur se më parë do të kishte besuar që një anije kozmike Made in Albania kishte sosur në hënë! Vetë shpikësi i transplanteve, profesor Bernardi i Afrikës së Jugut, kur e thërrisnin me aeroplan special për një transpant të posaçëm në Europë, e para gjë që kërkonte të dinte ishte se në spitalin më të mirë të vendit, a ishte anestezia në shkallën sipërore!
Vite e vite më parë Karla Del Ponte, me nënshtetësi zvicerane, kishte mbaruar mandatin e prokurores së përgjithshme në gjyqin ndërkombëtar të krimeve te luftës në Hagë. Pas kësaj detyre, u emërua ambasadore e Zvicrës në Argjentinë. Ndërkohë kishte mbaruar librin e saj të bujshëm, me gjëra të pabesueshme. Tani donte t’u bënte një të mirë serbëve, duke sajuar një mal halucinacionesh kundër shqiptarëve. Serbët u ngazëllyen. Por opinioni publik në Zvicër e batërdisi. U ngritën mjaft zëra prestigjiozë që thanë se nuk ishte e denjë për atë detyrë që i dhanë në Argjentinë. Afërmendsh që askush nuk mund të bindej se, fill pas luftës së 1999-s, UÇK-ja do të kishte kushtet e mundësinë që të çonte robër serbë në Shqipëri, - kur trualli ishte ende nën kontroll - dhe në një fshat rrugë-pa-rrugë të saj, të bënte zhvendosje organesh për t’i shitur! Vetëm serbve të indoktrinuar ua donte qejfi që rrena me bisht të ishte e vërtetë. As ata vetë, që kishin dy pare tru në kokë, nuk e besonin një gjë të tillë!
Do të donin të ishte e vërtetë vetëm shqiptarët antishqiptarë, siç do të dëshironin të ishte e vërtetë edhe ajo tragjikomedia e Griseldës, ende e papërgënjeshtruar! Por ja që tërthorazi u përmend edhe opozita e Edvinit. Dhe ja që vetvetiu na del edhe emri i Dik Martit, që i ra fyellit me një vrimë të Karlës, kur kësaj filloi t’i dilte jashtë përdorimit fyelli i saj. Hetimet e Karlës dështuan me turp. Tani e kanë radhën dështimet e Dikut. Banorët e fshatit Gurrë janë të revoltuar nga pyetjet që u bënë ekspertët e huaj për grabitjen e organeve, që për veshët e tyre tingëllonte e habitshme, aq më tepër se ishte e pakuptueshme fjala “transplant”. I zoti i shtëpisë, Abdullai, që kishte familjarë Asllan Katucin, Ilirie Kocin e Mehmet Kocin iu kreshpëruan ekspertëve që i kishin nxjerrë nga shtëpia për tërë ditën e Zotit, për të bërë bastisje. Të gjenin, demek, gjurmët e krimit!
Por në një nga pasazhet ungjillore thuhet që të mos i bësh tjetrit atë që nuk do të dëshiroje të ta bënin ty. Ja që tani Karla Del Ponten e ka zënë belaja. Në masakrat e Serbrenicës ajo, siç duket pa autorizim, dha urdhër që të asgjësoheshin gjërat vetjake të viktimave. Këto do të shërbenin edhe për identifikim, edhe për memorien e viktimave, në rastin që mund të gjendej ndonjë simbol, a shenjë që do të ishte në dobi të memories së të ndjerit. Tani këta banorë kanë bërë padi penale kundër Karlës dhe ajo rrezikon të përgjigjet para gjyqit! Dick Marty po shkon, pra, në gjurmët e mëkatit. Urojmë që edhe ai të përfundojë si Karla! Disa rrena nuk mund të shiten aq lehtë si të vërteta.