Vatikani shpall një falje speciale të mëkateve për të rinjtë, në prag të manifestimit të Madridit
Dje, Penitenzieria Apostolike në Vatikan botoi dekretin që u jep ndjesën e plotë të rinjve të Ditës Botërore të Rinisë. Në të thuhet: “U jepet ndjesa e plotë besimtarëve që, me rastin e “Ditës XXVI Botërore të Rinisë”, do të shkojnë në Madrid si shtegtarë; mund të marrin edhe ndjesën e pjesshme të gjithë ata që, kudo të ndodhen, luten për qëllimet shpirtërore të këtij takimi e për përfundimin e tij me sukses”. Si gjithnjë, ndjesa e plotë u jepet atyre, që janë penduar vërtet për mëkatet e bëra, janë rrëfyer e kanë marrë Kungimin e Shenjtë, marrin pjesë të paktën në ndonjë kremtim të Ditës Botërore të Rinisë dhe luten sipas ndjetit të Papës. Për ndjesën e pjesshme, besimtarëve të të gjithë botës u kërkohet t’i luten me shpirt të pastër Zotit e Shpirtit të Shenjtë, që t’i nxisë të rinjtë drejt bamirësisë e t’u japë forcën për të shpallur Ungjillin me jetën e tyre. Duke u nisur nga sa thamë, na u duk e arsyeshme të flasim për “faljen” e krishterë.
Filozofi i madh Paskal në librin e tij ”Mendime” imagjinon një dialog ndërmjet Zotit e shpirtit për mëkatet, që shpesh njeriu as që i sheh: nëse do të zbuloheshin, do ta shqetësonin tepër mëkatarin. Por, Zoti – në librin e Paskalit – i thotë: ”Ti nuk do të biesh në dëshpërim, sepse mëkatet e tua do të zbulohen në po atë çast, që do të falen” (n.553). Faji, kthimi e falja janë realitete, që ndërthuren. Që në Besëlidhjen e Vjetër kremtohet shpesh gëzimi për faljen hyjnore: “Lum ai që iu fal mëkati, që iu mbulua faji!” thuhet në Psalmin 32(1). Ndërsa psalmi i famshëm 130, i njohur me rreshtin e tij të parë ”De profundis”, e ngre në qiell këtë dhuratë të Hyjit, që pritet me ankth, ashtu si rojtarët agimin: ”Tek ti gjendet falja… sepse te Zoti është mëshira dhe i madh është tek Ai shpërblimi” (Ps 130,4.7).
Nëse nga njëra anë, drejtësia e Zotit është e rreptë e shtrihet ”deri në brezin e tretë e të katërt”, nga ana tjetër, dashuria e Tij e mëshirshme është e pamasë e shtrihet ”deri në njëmijë breza”, shkruhet në Librin e Daljes (20,5-6; 34,7). Është kjo arsyeja, për të cilën Ligji biblik përshkruan me imtësi ritet e flijimeve për të shlyer mëkatet, të cilat kremtoheshin në tempull. Ato arrijnë kulmin në solemnitetin e Kippur-it, që në hebraisht do të thotë ”shlyerje, falje”, ndjesë e plotë kolektive e Izraelit (Lev 16). Por profetët nënvizojnë nevojën e kthimit të zemrave, që shkon përtej flijimit. Nuk ka kuptim flijimi i një kafshe shtëpiake për Hyjin, nëse vërtet nuk je penduar e nuk ke ndërmend të mos e përsëritësh gabimin. Kjo vihet qartë në dukje në Psalmin 51, në të famshmin “Miserere”: “Sepse Ti nuk kënaqesh me fli…Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!” (Ps 51, 18-19).
Besëlidhja e Re përshkohet fund e majë nga tema e faljes, e cila lind nga dashuria hyjnore e nga kthimi i njeriut në rrugën e Zotit. Shembëlltyra e paharrueshme e djalit plangprishës në Ungjillin e shën Lukës (15,11-32) është gati-gati skenari i çdo historie mëkati, kthimi e faljeje. Takimi ndërmjet dy dashurive, asaj të Zotit e asaj të të penduarit, shprehet mrekullisht bukur nga fraza me të cilën Krishti i shpjegon fariseut Simon pse e fal mëkataren, që ia lau Jezusit këmbët me lot e me parfum, në të kundërt nga ç’bëri vetë Simoni: “Iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe” (Lk 7,47). Shpesh Jezusi fal mëkatet e njerëzve, duke shkaktuar reagime të ashpra, siç tregon shën Marku Ungjilltar: “Po blasfemon! – thonë skribët - Kush mund të falë mëkatet përveç një Hyji të vetëm?” (Mk 2,7).
Por Jezusi shkon edhe më tej. Ai i beson Kishës ”ministerin e pajtimit” (2 Kor 5,18). E bën këtë, duke iu drejtuar shën Pjetrit: ”gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell” (Mt 16,19), por edhe apostujve: ”Atyre që ju falni mëkatet, ju falen” (Gjn 20,23; shih edhe Mt 18,18). Në bazën e kësaj dhurate, që na jepet përmes Sakramentit të Rrëfimit e të Pajtimit, është vdekja e Jezu Krishtit, ashtu siç e thotë Ai vetë në Darkën e Mbrame, duke ngritur kelkun me verë: ”Ky është gjaku im – gjaku i Besëlidhjes – që do të derdhet për ju të gjithë në shpërblim të mëkateve” (Mt 26,28). Besojma më e lashtë, që i referohet shën Palit Apostull, pohon se ”Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi Shenjt” (1 Kor 15,3). Edhe në kryq, gjesti i fundit i Jezu Krishtit është falja e keqbërësit të penduar e falja e kryqëzuesve të vet (Lk 23,33-43). I krishteri, në gjurmët e Zotit e të Mësuesit hyjnor, duhet pra, të falë ”jo shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë”, siç thuhen në Ungjillin e shën Mateut (18,22), duke kujtuar se si lutet çdo ditë në Atynën: ”Na i fal fajet e mëkatet tona si i falim ne fajtorët tanë”. Ai që fal, falet.
Ja Dekreti i plotë i Penitencierisë Apostolike për Ndjesën e Plotë gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Madrid/Penitencieria Apostolike, Madrid - Dekret
U jepet ndjesa e plotë besimtarëve që, me rastin e “Ditës XXVI Botërore të Rinisë”, do të shkojnë në Madrid si shtegtarë; mund të marrin edhe ndjesën e pjesshme të gjithë ata që, kudo të ndodhen, luten për qëllimet shpirtërore të këtij takimi e për përfundimin e tij me sukses. Kohët e fundit, Penitencierisë Apostolike i ka mbërritur lutja e Eminencës së nderuar Antonio Maria Rouka Varela, kardinal-kryeipeshkëv i Madridit dhe Kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve të Spanjës, që të rinjtë të mund të fitojnë frytet e shpresuara të shenjtërimit nga Dita XXVI Botërore e Rinisë, e cila kremtohet nga 16 deri më 21 të muajit të gushtit në vijim, në kryeqytetin spanjoll, e që do të ketë si temë: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe” (shih Kol 2,7). Penitencieria Apostolike, duke ia paraqitur këtë lutje Atit të Shenjtë, mori detyrën e veçantë për të dhënë, përmes këtij Dekreti, dhuratën e Ndjesës, sipas ndjetit të vetë Papës, si më poshtë vijon: U jepet Ndjesa e Plotë besimtarëve, që me përkushtim do të marrin pjesë në ndonjë kremtim kishtar, ose në ndonjë veprimtari bamirëse, që do të zhvillohet në Madrid, gjatë “Ditës XXVI Botërore të Rinisë”, si edhe në përfundimin e saj solemn, me kusht që të jenë të rrëfyer e të penduar me të vërtetë, të marrin Kungimin e Shenjtë e të luten sipas ndjetit të Shenjtërisë së Tij. U jepet Ndjesa e Pjesshme besimtarëve që, kudo të ndodhen gjatë takimit të sipërpërmendur, me shpirt të penduar, do t’i luten Zotit e Shpirtit të Shenjtë, që t’i nxisë të rinjtë drejt bamirësisë e t’u japë forcën për ta shpallur Ungjillin me jetën e tyre. Pastaj, që besimtarët të marrin lehtësisht këto dhurata hyjnore, meshtarët e miratuar ligjërisht për dëgjimin e Rrëfimit sakramentor, me frymë dashamirësie e bujarie, të tregohen të gatshëm për t’i dëgjuar Rrëfimet e t’u propozojnë besimtarëve lutje publike për suksesin e vetë “Ditës Botërore të Rinisë”.
Ky Dekret ka vlerë për këtë rast. Pavarësisht nga çdo dispozitë e kundërt.
Romë, nga selia e Penitencierisë Apostolike, 2 gusht, viti i Mishërimit të Zotit 2011, në përkujtimin e shenjtë të “Porciunkolës”.
Kard Fortunato Baldelli
Penitencier i Madh
Imzot Xhanfranko Xhiroti, O.F.M. Konv.
Ipeshkëv titullar i Metës, Regjent”