Gjuetia e fundit e Vladimir Putin
Vladimir Putin, i veshur me tuta të posaçme zhytjeje, me bombol oksigjeni dhe me një buzëqeshje 24 karat u zhyt para ca ditësh në Detin e Zi, natyrisht me kamera të ndezura, ku edhe pas pak minutash doli në sipërfaqe me dy amfora antike greke. “Një thesar” ishin fjalët e tij të para, dhe gjithë njerëzia aty afër duartrokisnin me fjalët, sa i aftë, sa i fortë, çfarë muskujsh, dhe çfarë dashurie për arkeologjinë nënujore. Dy minuta më vonë ai pozoi për fotografët, të cilët gabimisht gjendeshin aty afër.
Megjithatë një batutë e kryeministrit rus me amfora në duar “janë bosh, i paskan pirë të gjitha”, i shkriu se qeshuri të gjithë enturazhin e sapoardhur. Sigurisht Putini pati fat që në zhytjen e parë të gjente në një zonë arkeologjike, disa amfora të shoqëruara me fotografë dhe kameramanë. Gjithsesi kohë më parë Putin ishte protagonist i peshkimit të bollshëm të peshqve, që ishin stërvitur me parë të hidheshin në duart e tij. Të kujton pak skeçin “Gjuetia e fundit” të luajtur mjeshtërisht nga regjisori Koço Devole, që vë në lojë byronë politike dhe udhëheqësin e saj, Enver Hoxha, duke i përgatitur derrin për t’u qëlluar në shenjë.
Sakaq gjesti heroik i Putinit është i rëndësishëm, sepse nguc imagjinatën, dhe një kryeministër macho, që vishet me rroba karateje, peshkon me duar në liqenin Bajkal, që kalëron kuajt e stepës gjysmë nudo, që pranon sfidat dhe që me një motoslitë shkon e kontrollon dhe luan me një leopard që të impresionon. Gjithashtu kohët e fundit gjatë një vizite në një fushim të rinjsh në Kremlin, nuk i ka shpëtuar rasti për t’i treguar atyre se si sillet një burrë i vërtetë duke u kacavjerrë një faqe muri, duke bërë pompa e ngritur pesha, si dhe në fund duke u përfshirë në një garë për thyerjen e dorës.
Kuptohet vetiu se gjestet e Vladimir Putin i shërbejnë atij për të ushqyer imazhin e njeriut të fortë, që përballon sfidat e natyrës dhe aventurat njerëzore, që shumë rusë identifikohen me të në betejat e pamundura. Çdo verë Putin na rezervon surpriza, në një mënyrë të habitshme për një kryeministër, me dëshirën për të emfatizuar forcën e tij. Jemi afër zgjedhjeve për president dhe Putin është një kandidat potencial, sipas shumë politologëve rusë. “Në Rusi nuk ka ndryshuar gjë dhe asgjë nuk do të ndryshojë: Vladimir Putin do të kthehet në Kremlin”, ky është mendimi i Gleb Pavlovsky, ish-strategu dhe këshilltari i presidentit Dmitri Medvedev - që ka pak muaj që është larguar nga ekipi i Kremlinit - shkruan një artikull kritik ndaj dyshes Medvedev-Putin në gazetën “Nezavisimaya Gazeta”. Ky njohës i mirë i skutave dhe prapaskenave të politikës dhe pushtetit rus, denoncon mbi të gjitha statusin vend-numëro të politikës ruse, ku duket se kurrë nuk do ndryshojë gjë. Sipas tij, Presidenti aktual Dmitri Medvedev “është i izoluar në qendrën e një zone me rrezik të lartë”. Dhe “Rusia është e ngrirë”, thotë Pavlovsky “aktiviteti i saj i jashtëzakonshëm është politikisht i tredhur dhe i izoluar në një gotë administrative”.
Rusia e shpjeguar nga Pavlovsky duket me të vërtetë e “ngrirë”: Qeveria, si 12 vjet më parë, është e drejtuar nga Putin; një ish-Ministër i qeverisë Gaidar (qershor-dhjetor 1992) Nikolai Fyodorov po shkruan strategjinë e ardhshme; ambasadori aktual në OKB “Dima” Rogozin “mishëron nacionalizmin rus”; “i përjetshmi Shoigu”, Sergej, Ministri i situatave të Emergjencës - është i zënë me gjetjen e një anije të fundosur. Sipas politologut Pavlovsky, Putin është gati të ndryshojë formacionin e tij politik “Rusia e bashkuar”, sepse është shumë e korruptuar nga anëtarësimi pa filtër, çka shpjegon edhe fjalët e Putin se partia “ka filluar të jetë e rrezikshme, sepse nuk po di të bëjë asgjë”. Një organizatë jo vetëm e korruptuar, por mbi të gjitha aspak transparente dhe që është e vështirë ta kontrollosh.
Megjithatë kritikat e bëra nga Pavlovsky janë të diktuara nga fakti që është një vëzhgues i privilegjuar nga informacionet e bollshme? Apo qenia e tij pjesë e ekipit të Medvedev dhe braktisja ka intoksikuar vizionin e gjërave dhe fakteve për shkak të inatit?
Të presim zgjedhjet.