Rama: PS-së i dua vetëm emrin, jo anëtarët dhe aleatët

Privatizimin e PS-së s’e ndalon dot më as lëvizja e ndonjë deputeti e as vicklat e aleatëve të pakënaqur. Në axhendën politike, Edi Rama ka planifikuar vjedhjen e emrit të partisë në kongresin e 5 nëntorit, si dhe negocimin politik për rinovimin e institucioneve vetëm për interesat e vogla të grupit. Hienat politike të së majtës duket se e kanë kuptuar tradhtinë, por s’kanë mjetet për ta ndalur atë
Në muajin e klandestinitetit të opozitës, Edi Rama po i lë të gjitha flukset të funksionojnë në mënyrë autonome, pasi me ngritjen e grupeve të punës për kongresin e 5 nëntorit, ai ka çelikosur agjendën e tij politike për privatizimin e plotë të Partisë Socialiste. Tashmë, kur ai s’është më as kryetar i bashkisë së Tiranës, përmbyllja e procesit të këtij privatizimi, është shndërruar në një urgjencë, meqenëse në të ardhmen, pazaret do të zhvillohen veç për institucionet e veç nën suazën e imunitetit politik. Këtë projekt të qartë e ka nuhatur së fundmi edhe Skënder Gjinushi, një hienë e politikës së majtë, që tashmë duket se ka ulur edhe pazarin e kërmave që kërkon në zotërim. Dje publikisht ai i bëri thirrje Edvinit që të vërë në zbatim marrëveshjet që ka me aleatët e të përvijojë një marrëveshje të re për ta, përpara sesa të privatizojë përfundimisht PS-në e të nisë zbatimin e një programi të ri personal. Gjinushi e klasifikoi si të tillë edhe propozimin për ndryshime kushtetuese, duke e cilësuar kërkesën e fundit edviniste si të parakohshme, meqenëse ajo s’merrte parasysh interesat e faktorëve të së majtës. Më herët edhe fluksi i Arben Malajt si dhe qëndrimi “solo” i Erion Braçes ishin orientuar në të njëjtat shina të mosmarrjes së këtyre vendimeve finale për fatin e PS-së, pa përcaktuar fillimisht fatin e aleatëve...
Por për Edi Ramën rëndësi ka veç hipotekimi i emrit të PS-së, dhe jo marrja me vete edhe e njerëzve apo edhe e aleatëve që kanë vegjetuar gjatë këtyre viteve nën këtë “barakë” politike. Spartak Ngjela në fillim e Anastas Angjeli më pas përfaqësojnë linjën e fortë të mbylljes së hesapeve me këto “metastaza” majtiste. Angjeli e cilëson veten si të ripeshkuar në projektin Rama, por e vë kufirin tek thana, kur është fjala për të përfshirë në konsultimet e grupit të tij të punës për programin politiko-ekonomik të partisë, edhe përfaqësues të aleatëve apo shoqërisë civile. Duket se ai është emëruar për strukturën bolshevike e private që do të drejtojë Edi Rama, prandaj pak rëndësi ka nëse ajo dallon shumë nga PS-ja tradicionale. Edhe Ngjela, një tjetër intim i entourage-it socialist, detajon politikën e shantazhit që ka ndërmend të ndjekë partia personale e Ramës, teksa thotë se asnjë emër për president nuk do të artikulohet derisa të përfundojë “pazari” mbi propozimin për ndryshimet kushtetuese.
Me ngritjen e grupeve të punës për kongresin e 5 nëntorit, Edi Rama po vrapon drejt privatizimit të Partisë Socialiste dhe “potpuria” e verës me reformë zgjedhore apo demokratizim të jetës së partisë s’e prek fort. Agjenda e tij politike po afron privatizimin dhe në partinë e tij personale, pas nëntorit s’do të ketë vend as për të vonuarit mendërisht (në matjen politike të problemit) për mendimin ndryshe si Meidani a Blushi, as për guximtarët e vonuar si Islami e Malaj, bile as për aleatët bezdisës si Gjinushi e Milo. Në projektin e ri të Edi Ramës kanë rëndësi numrat e toçave, pra numrat personalë, dhe me to pritet të ngrihet “opozita e parë” e pas 5 nëntorit e me to edhe do të tentohet të negociohet për reforma. Këta numra do të përfaqësojnë PS-në, së cilës do t’i jetë vjedhur emri, pasi s’do të ketë të bëjë aspak me historinë e saj të re 20 vjeçare. Vjedhja e emrit është planifikuar për me 5 nëntor dhe duket se këtë gjë s’e ndal askush, as një paketë bllokuese numrash e socialistëve në parlament, e as ndonjë denoncim i ndonjë të pabëre nga brenda rrethit privat të kryetarit në detyrë të PS-së.