E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyfytyrësia politike, si mitër e çështjes “Veriu i Kosovës”

30-08-2011 / Nga Muharrem Nitaj

Ish-kryeministri i vrarë serb, Zoran Gjingjiq, në mesin e viteve 90-të, në një takim me politikanin e madh të Kosovës, Fehmi Aganin, i kishte kërkuar këtij të fundit që ta ndjente se ai do të duhej të fl iste hapur kundër lidershipit në Prishtinë, sepse kështu e kërkonte elektorati serb. Zoran Gjingjiq, atëbotë po ngjitej shkallëve të pushtetit në Serbi, megjithëse përballë kishte një diktator të madh. Në atë kohë besohej se Serbia po i kalonte vitet e fundit të abuzimit me “mitin e Kosovës ”, por me gjithë pothuaj 20 vjet të shkuara, miti serb për Kosovën është po ai që ka qenë dikur.
Presidenti i sotëm serb, Boris Tadiq, i cili konsiderohet po aq i moderuar sa kryeministri i vrarë Gjingjiq, popullit të vet i ka dërguar këtë mesazh: “Serbia nuk do t’i heqë institucionet e saj në Kosovë, edhe nëse një gjë e tillë kushton me mosmarrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Ky i fundit ka kohë që nuk është takuar me kryeministrin Thaçi, dhe nuk ka rrjedhur ndonjë informacion nëse edhe këto deklarata të tij janë vetëm për konsum të brendshëm në raport me zgjedhjet e radhës në Serbi. Vizita e fundit e kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, është cilësuar si mesazhi më i qartë për Serbinë, se cili mund të jetë pozicioni i saj në raport me Kosovën.
Por, është e paqartë se si mund të qëndrojnë bashkë interesat kombëtare të Serbisë, të cilat sipas presidentit Tadiq, qenkan Kosova dhe perspektiva evropiane e saj. Vendet e Ballkanit, të cilat akoma nuk i kanë kaluar “ethet e fitoreve në zgjedhjet e pandershme”, gjithmonë kanë luajtur pandershëm me popullin dhe elektoratin e tyre.
Prandaj, të pandershme janë edhe deklaratat e presidentit serb Tadiq, se Serbia nuk do t’i heqë institucionet e saj nga Kosova. Tashmë edhe vetë presidenti serb, por edhe gjithë liderët botërorë, duke përfshirë edhe ata që janë armiqësisht të pozicionuar ndaj Kosovës, e dinë se Serbia nuk ka institucione në Kosovë, por ka grupe mafioze dhe kriminale.
Ka mundur që një “rrenë e tillë” të shitej vetëm në kohën e Kralit, kur patriotët shqiptarë kujtonin se edhe me lordët anglezë mund të takoheshin me kobure në brez. Nëse Serbia pretendon ta marrë statusin e kandidatit, presidenti i saj duhet ta dijë se kushti i parë për këtë është që Serbia t’i njohë kufi jtë e shteteve përreth, d.m.th., edhe kufijtë e Kosovës.
Presidenti serb thotë se është bindur se Serbia do të përmbushë çdo kërkesë që është në përputhje me kriteret e Kopenhagës, por shfaqi dilemën nëse BE-ja do të përmbushë rolin e saj, duke lënë të kuptohet se kjo ka të bëjë me Kosovën dhe me statusin e serbëve në veri. Bisedimet me Serbinë do të vazhdojnë më 2 shtator, thuhet me çështjen e vulave doganore.
Por, kjo është një çështje shumë e vogël në krahasim më ato që mund të cilësohen obligime të BE-së. Janë zgjedhjet në prag ose pak përtej tij, sepse ndoshta edhe presidenti Tadiq, edhe kryeministri Thaçi, do të mund të flisnin pak më ndryshe. Presidenti Tadiq do të pranonte më në fund se ëndrra e Serbisë për Kosovën ka përfunduar dhe se grupet kriminale të pavarura ose të instaluara prej saj do të duhet të tërhiqen.
Kryeministri Thaçi ndoshta më në fund do të duhet të thoshte se çështja e serbëve në veri do të mund ta ketë një zgjidhje tjetër, e cila mund të mos jetë ajo që është proklamuar nga Prishtina. Ndoshta Ahtisaari plus. Mirëpo, duket të jetë çështje e mentalitetit të elektoratit edhe në Kosovë edhe në Serbi, i cili thellë brenda vetes është injorant e racist dhe mund t’i ndëshkojë politikanët e ndershëm.
Prandaj, derisa të jetë kështu, duket se do të përballemi me dyfytyrësinë politike në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe të ngushëllohemi se akoma nuk ka ardhur koha për do politikanë të tjerë. Ish-kryeministri i vrarë serb Gjingjiq, shumë vite më parë e kishte pasur kurajën të kërkonte ndjesë për “dyfytyrësinë e tij. politike” dhe të ndjehej nga politikani i urtë Fehmi Agani.
Pasardhësit e tyre sot, nuk e kanë as kurajën as urtësinë dhe po na rrejnë në të katër anët. Ata po bëhen që s’po rrejnë e ne po bëhemi që s’po dimë. Duket që fatin e kemi të përbashkët...
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›