E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk dënohet diktatura pa shprehur simpati ndaj viktimave të saj

30-08-2011 / Nga Luan Myftiu

Qëndrimi ndaj viktimave të diktaturës tregon, jo vetëm shkallën e distancimit të çdo personi prej saj, por dhe sinqeritetin, me të cilin ky ka përqafuar demokracínë. Dhe kjo nuk thuhet pa arsye. Nuk dënohet shkaku pa t’u dhimbsur pasojat. Se nuk ka si të dënojë tiranínë ai që përbuz skllevërit e saj. Aq më tepër, kur është bindur për pafajësínë e tyre. Kur ka në duar mijëra fakte për sajíme akuzash monstruoze ndaj këtyre njerëzve të pafajshëm. Të përndjekurit e përballuan diktaturën duke i parë si mjeranë xhelatët e tyre. Dhe, ndonëse kurrë nuk kanë pranuar mëshírë, nuk e edukuan veten me urrejtje. Prandaj dhe nuk mburren me vuajtjet e tyre, sadoqë edhe sot i kanë plagët e hapura. Dhe shpesh nuk flasin për vuajtjet, jo vetëm pse është e vështirë që tmerret që provuan, t’u besohen.  Të shkatërruar, por të qetë, ata nuk urojnë që të tjerëve t’u bjerë në kokë fati i tyre. Ata janë fisnikë. Ndaj, kush çmon kalvarin e tyre, lartëson veten. Ashtu si kush i përbuz, vetëm poshtëron veten. A.Çehovi ka thënë : ”Pashë vuajtjen dhe u bëra njerí !”. Çudí ! Dhimbja e pamerituar prodhoka dhe ca vlera të veçanta. Ajo e frymëzoka njeriun të dojë njeriun, por jo, kurrsesí xhelatët. Sidomos të papenduarit. Dhe nuk është virtyt i pakët të mos kërkosh hakmarrje, kur të kanë poshtëruar dhe të kanë asgjësuar jetën. Kjo madhështi morale duhet t’u shërbejë sidomos atyre që dikur hodhën “gurë” kundër tyre. Se vetë viktimave u pëlqen që vuajtja e tyre të shërbejë për ringjalljen e të gjithëve, sidomos të atyre që, të penduar, duan të futen në rrugën e Zotit. Humanizmi e tejkaloka ndjenjën e shpagimit. Jo më kot durími çmohet si cilësía më e vyer, që Zoti i ka dhuruar njeriut. Vetëm xhelatët, gjithë ata që duan t’ia fshehin edhe vetes ligësitë që kanë kryer, përçmojnë të përndjekurit e diktaturës. Kurse këta të fundit e kanë dënuan dhunën me forcën e asaj keqardhjes mëshirëplote të një fisniku. Se, që kur u hoqën zvarrë nëpër baltën e kënetave, këta martírë fituan Qiellin. Nuk është e lehtë të mbijetosh pa urryer, kur nëpërkëmbesh çdo ditë pa të drejtë. Shqipëría po sheh se ç’bëjnë Rama me neobllokmenët për një copë karrige. Dhe kupton se ç’pasurí të mëdha shpirtërore fshihen tek një i vuajtur i diktaturës më mizore. Populli e përfytyron madhështinë e një lisi, edhe pasi atë e ka djegur rruféja. Kurse xhelatët kënaqen me pasojat e shkatërrimeve, që ka lënë pas diktatura te të përndjekurit prej saj.
Kush u konformua dhe jetoi mirë në diktaturë, duhet të ulë kokën me respekt para viktimave. Dhe këtë po përpiqet të bëjë çdo ditë demokracia dhe gjithë ata, që nuk kanë përgjegjësí për gjymtimin e këtyre martirëve. Se, nuk i lejohet krekosja atij që tirania e bëri me shkollë, duke lënë në errësírë mijëra të përndjekur të talentuar e me etje të madhe për diturí. Përkundrazi ! Gjithë shoqëría shqiptare duhet të krenohet me forcën morale të këtyre viktimave. Të mrekullohet me madhështinë e shpirtit të tyre prej martiri. T’i shohë gratë dhe vajzat e të përndjekurve si shkëndija të fuqishme drite, të dala nga ajo minierë bukuríe shpirtërore, nga e cila doli dhe Nënë Tereza. Se dhe këto gra e vajza provuan që kjo tokë mund të lindë të tilla shenjtore. Kurse të privilegjuarit e diktaturës nuk po arrijnë as ta kuptojnë madhështinë e sakrificave dhe vuajtjeve të tyre shpirtërore e materiale. Çudi ! Kush s’i paska provuar në shpinë, e paska të vështirë të besojë shkallën e poshtërímeve, që u bëri diktatura këtyre njerëzve të mirë nëpërmjet ca rrugaçëve, të porositur për degradimin e tyre. Vajzat e gratë e përndjekura u plakën prapa dyerve të hekurta të burgjeve dhe kampeve të vdekjes, për të nxjerrë gjallë nga ferri komunist heronjtë e hershëm të demokracísë. Ato gdhinë net dimërore majë pemëve në shkrepat e Burrelit, Spaçit e Qafë Barit duke i lanë me lot gjithë rrugët e Shqipërísë. Ato u rrahën, u shanë e u poshtëruan, u mbyllën në qelí të pista të seksioneve të Sigurimit, nga ku u nxorën të sëmura për ta mbyllur jetën psikiatrive të atij sistemi të çmendur.   
Dhe të përndjekurit e diktaturës përsërí heshtën. Dhe, ndërsa heshtja e tyre ka diçka tepër tragjíke, Rama dhe neobllokmenët nuk denjojnë të bëjnë një gjest për të shprehur simpatí ndaj tyre. Ndërkohë që demokracía asnjëherë nuk është kënaqur me gjithë ato që ka bërë për integrimin e këtyre shtresave. Ndaj gjithë atyre që e përballën aq fisnikërisht atë nëpërkëmbje të padurueshme. Ndaj krejt atyre, që e mundën të keqen me forcën e mirësisë. Por këta ia kanë ngritur monumentin vetes në zemrat shqiptare. E kanë lartësuar qysh në diktaturë obeliskun e shenjtë të durimit, të faljes, por dhe të ndëshkimit me anë të asaj keqardhjes mospërfillëse ndaj gjithë atyre, që nuk e njohën kurrë dashurínë e njeriut për njerínë. Ndaj, jo më kot Këshilli i Europës porosit që për viktimat e diktaturës duhet ushqyer simpati dhe atyre u duhet njohur vuajtja. Kurse xhelatët e papenduar komunistë, si dhe Rama me gjithë mercenarët e tij besnikë, të pasuruar me pronat e këtyre viktimave, po fyejnë rishtas këta martirë, qoftë duke lartësuar nëpër ekranet e mediave të tyre antivlerat e diktaturës, qoftë duke “justifikuar” krimet e komunizmit me viktimizimin e xhelatëve prej “kuçedrës”, qoftë duke u mbajtur leksione humanizmi martirëve të hershëm të demokracísë. Madje dhe duke mbushur sheshet për të drejta të “mohuara”! Për pushtet me dhunë dhe për karrige kryetarësh, që nuk i njohin dhimbjet e vërteta të Shqipërísë. Ndaj, me gjithë demagogjinë “përtej së majtës e së djathtës” Rama me neobllokmenët, jo vetëm nuk ushqejnë asnjë simpati për shtresat e të përndjekurve, por  shprehen me cinizëm se këta nuk u dashkan lavdëruar, pasi kështu u kryeka ndaj tyre një “persekutim i rí pozitiv”? Ndaj dhe s’i përmendin fare as në Historinë e Shqipërísë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›