E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dymbëdhjetë vjet nga bisedimet në Rambuje

Një aeroplan i posaçëm luftarak francez dërgonte 12 vjet më parë, për në bisedimet e Rambujesë në Francë delegacionin e Kosovës.

Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën.

Konferenca ishte një sfidë për të gjitha palët: shqiptarët, serbët dhe ndërkombëtarët.

Pak ditë pas fillimit të konferencës, ndërmjetësuesi amerikan në takim, ambasadori Christopher Hill, deklaronte se "Kosova ekziston si problem të paktën prej një shekulli.

Ndonëse jemi në vitin 1999 në një mënyrë ne po përballemi me probleme të shpërbërjes së Perandorisë Otomone”. Madje Hill i vlerësonte bisedimet e Rambujesë si më të vështira se ato në Dejton.

Siç dihet, Konferenca, e cila ka zgjatur 17 ditë ka përfunduar pa sukses për shkak të kushtëzimeve të papranueshme të palës serbe. Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Kontakt Grupi.

Ndërsa, delegacioni serb sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, sipas medieve serbe, mbrojti qëndrimin që të trupave të NATO-s të mos ju lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të OKB-së.

Ndërkohë që Kontakt grupi ndërkombëtar kishte vendosur që bisedimet ndërmjet delegacionit serb dhe të shqiptarëve të Kosovës për zgjidhjen e krizës në Kosovë të vazhdojnë më 15 mars 1999 në Paris.

Edhe raundi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris ka përfunduar pa sukses. Delegacioni i Kosovës dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme.

Delegacioni kosovar kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

Në tentimin e fundit, më 22 mars 1999, i dërguari special i SHBA-së, Richard Holbrooke, nuk arriti që të bindë kryetarin e RSJ-së, Sllobodan Millosheviçin, që të pranojë Marrëveshjen për Kosovën për vendosjen e trupave të jashtme.

Dy ditë më vonë, më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e RSJ-së, dhe pas 78 ditësh pasoi tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova dhe vendosja e administrimit të përkohshëm të OKB në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›