E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, DR tre kushte për kthimin në Parlament

Partia Demokracia e Re ka vendosur tre kushte për rikthimin e deputetëve të saj në Parlamentin e Maqedonisë.
Gjatë së dielës u mbloshur Këshilli Drejtues i kësaj partie, ku ka parashtruar kushtet, të cilat do të shpalosen gjatë takimit me presidentin e vendit, Gorge Ivanov.

Kryetari i DR-së, Imer Selmani, pas përfundimit të mbledhjes, para medieve shpalosi qëndrimet e DR-së të cilat janë parakusht për dialog politik thelbësor dhe dalje nga kriza politike.

“Kushti i parë për rikthimin e deputetëve të DR-së në Parlament është revidimi i Ligjit për regjistrimin e popullsisë i cili është diskrimunes për shqiptarët dhe përjashtues për diasporën shqiptare. DR kërkon ndryshimin e afatit të regjistrimit dhe pranimin e kërkesës për regjistrim njëmujor në korrik. Kushti i dytë i DR-së është hapja e bisedimeve për ndryshime kushtetuese, ku në tavolinë do të shtrohen sërish kërkesat e shqiptarëve për Badenter në Gjykatën Kushtetuese, Këshillin Gjyqësor dhe gjatë miratimit të buxhetit në Parlament, si dhe afatizimin e implementimit të pjesëve të paimplementuara të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, theksoi ai.

Kushti i tretë sipas Selmanit është ndërprerja e enciklopedisë dhe pasojave të saja anësore siç janë projekti “Shkupi 2014” dhe së fundmi, ndërtimi i kishës në Kalanë e Shkupit. Sipas DR-së, këto projekte janë në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe të njejtat provokojnë dhe acarojnë marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Selmani po ashtu bëri të ditur se ndër kërkesat për dialog të mirëfilltë politik në vend janë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor ku DR do të insistojë në model të një njësie zgjedhore dhe lista të hapura, inkorporim të mekanizmave shtesë për rritjen e besueshmërisë në përputhje me sugjerimet e OSBE-së dhe ODIHR-së, si dhe pastrimin e listave nga votuesit fiktiv.

Kreu i DR-së edhe një herë ka porositur Qeverinë VMRO-DPMNE dhe BDI të ndalin presioniet mbi mediumet që kanë qëndrim kritik ndaj politikave të tyre dhe heqin dorë nga ndikimi në sistemin gjyqësor. Të gjitha kërkesat dhe vëretjet e DR-së për krizën politike, Selmani do t’i shpalos gjatë takimit të liderëve nesër.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›