E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyndje për të aplikuar për kartat e identitetit

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ka nisur në Tiranë në disa nga njësitë bashkiake të kryeqytetit procesi i aplikimit të regjistrimit dhe marrjes së kartës së identitetit, letërnjoftimit, nga qytetarët. Në këtë proces është vënë re një fluks i madh qytetarësh pranë njësive bashkiake të kryeqytetit për të aplikuar për kartat e identitetit. Qindra qytetarë janë dyndur që në mëngjes drejt zyrave të postave për të vërë pagesën fillestare prej 12 mijë lekësh për pajisjen me karta identiteti. Por fluksi i ka gjetur të papërgatitur punonjësit e zyrave postare, të cilat, duke mos parashikuar një fluks të tillë qytetarësh, ishin pajisur me 4 mijë kupona. Brenda orës 08.30 minuta në zyrat postare nuk ka pasur më asnjë kupon. Kryeministri Berisha mori pjesë nga afër në aplikimin e parë të qytetarëve të Tiranës për pajisjen me letërnjoftimet e reja elektronike. I pranishëm në qendrën e aplikimeve pranë zyrave të Njësive Bashkiake nr. 3 dhe 4 në Tiranë, Berisha uroi aplikanten e parë për dokumentin e ri të identifikimit, duke e cilësuar nisjen e këtij procesi një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm në vendosjen e një sistemi të ri, ndër më modernët që ekziston në botë, për identifikimin shtetasve. “Me këtë sistem qytetarët e këtij vendi pajisen me dokumente të cilësisë më të lartë për identitetin e tyre, dokumente të cilat do t`u lehtësojnë punën atyre në çdo akt që nevojitet identifikimi i tyre, dokumente të cilat do t`u duhen dhe i lejojnë ata të udhëtojnë të qetë për sa i përket identitetit të tyre në të katër anët e botës”, - u shpreh Kryeministri. Më tej ai theksoi se procesi po ecën tërësisht sipas programimit, ndërsa e vlerësoi atë si një mision tjetër shumë të rëndësishëm për sa i përket modernizimit të infrastrukturës zgjedhore. “Do ta quaja këtë proces mision për mundësimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me infrastrukturën më moderne të identifikimit të zgjedhësve, listat elektronike, sistemin tërësor të ri të adresave dhe dokumentet elektronike. Këto janë detyrimet e qeverisë para vendit, para shoqërisë”, - vlerësoi Kryeministri. “Natyrisht, - vijoi më tej Kryeministri, - më duhet të them këtu që ata që për afro 3 vjet e gjysmë ndërtuan alternativën e tyre mbi boshin dhe mashtrimin, qershori për ta do të jetë dëshpërues, por kjo është çështja e tyre. Më pas Kryeministri iu përgjigj interesit të medias lidhur me këtë process. Pyetjes se si e shpjegonte ai interesimin e madh të qytetarëve për letërnjoftimet e reja, Berisha i është përgjigjur: “Është vetëdije e lartë e qytetarëve për rëndësinë e këtyre dokumenteve. Me këto dokumente qytetari shqiptar barazon veten në aspektin e identifikimit me të gjithë qytetarët evropianë. E vërteta është se ne kemi përzgjedhur dokumentin ose teknologjinë më të avancuar që ekziston sot në Evropë. Natyrisht në çdo orë dhe në çdo ditë nxirret mësim, nëse ka probleme. Ju nuk mund të prisni që aplikimi i parë të ketë shpejtësinë maksimale të aplikimeve, por shteti dhe e gjithë administrata është e vendosur ta mbështesë fuqishëm procesin. Janë krijuar 40 qendra dhe në rast nevoje mund të shkojnë në 60 apo 70 qendra ndihmëse vetëm në funksion të shpejtimit të këtij procesi. Por përshëndes qytetarët për interesin e tyre. Është një nderim i madh që i bëjnë vetes së tyre për të pasur dokumentin që meritojnë, por është edhe një kontribut real i secilit prej tyre në modernitetin e kësaj shoqërie, të këtij vendi dhe ky është një rast i veçantë për çdo njeri. Sigurisht që posta do të ketë shumë më tepër pika dhe do të kontraktojë dhe punonjës të tjerë, në rast se nevojiten dhe do t`u përgjigjet me shpejtësinë më të madhe kërkesave të qytetarëve me pika shpërndarje të kuponave të grumbullimit të të dhënave”,- tha kreu i qeverisë. Më pas Kryeministri i është përgjigjur interesimit të medias se kur do të aplikonte vetë ai për letërnjoftimin elektronik duke thënë se “më propozuan të aplikoja sot, por unë preferova t`u lë radhën qytetarëve. Meqenëse sot u bë aplikimi në media, unë do ta bëj aplikimin pa media”, - përfundoi Berisha.

Aplikimi për letërnjoftimin
Hapi i parë për të marrë kartën e identitetit është pagesa e tarifës prej 12 mijë lekësh të vjetra pranë çdo zyre postare për letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike. Ndërkohë që pagesa mund të bëhet edhe pranë institucioneve ku qytetarët punojnë, nga ku duhet të marrin një kupon që dëshmon kryerjen e pagesës. Pas këtij veprimi, qytetari duhet të shkojë në njësinë bashkiake ku është regjistruar, së bashku me kuponin e derdhjes së lekëve si dhe një dokument identifikimi që mund të jetë pasaportë, certifikatë, patentë për drejtim automjeti apo edhe fletëhyrje për në institucione shtetërore. Të dhënat gjenerohen direkt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; operatori, qytetari dhe nëpunësi i gjendjes civile i kontrollojnë ato dhe nëse i gjejnë në rregull, e printojnë formularin e aplikimit që firmoset nga të tre personat: qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i regjistrimit. Nëse jo, qytetari shkon në Gjendjen Civile për të korrigjuar gabimet që mund të ekzistojnë. Në momentin që të dhënat janë korrekte, punonjësi do t i marrë shenjat e gishtave qytetarit, i cili do të dalë në fotografi dhe do të japë edhe nënshkrimin elektronik.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›