E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Qeveria të heq penalitetet për marrjen e kartës së identitetit”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar menjëherë pas fillimit të procesit të aplikimit për marrjen e letërnjoftimit nga qytetarët e Tiranës fillimisht, duke thënë se procesi ka filluar me mungesë transparence në komunikimin me publikun, detajet e këtij procesi si dhe nuk janë publikuar në asnjë vend kriteret. Në një dalje publike, nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, ka thënë se “procesi ka fillur me një mungesë të theksuar transparence, me një mungesë të theksuar të komunikimit me publikun, në lidhje me detajet e këtij procesi, nuk janë publikuar në asnjë vend kriteret, nuk janë publikuar në asnjë vend se çfarë dokumentesh duhet të kenë njerëzit për të kërkuar marrjen e kartës së identitetit, kushtet që duhen plotësuar për këto, etj. I bëjmë thirrje menjëherë Qeverisë dhe kompanisë, e cila ka fituar koncesionin për dhënien e këtyre kartave të identitetit, të fillojë menjëherë sqarimin e opinionit publik dhe për dokumentacionin që duhet të shoqërojë procesin, të publikohen në media, por edhe në vende publike udhëzime të qarta për këtë proces, të publikohen nëpërmjet medias dhe spoteve televizive, në mënyrë të qartë të gjitha detajet e procesit të dhënies së kartave të identitetit, sepse ka një konfuzion jonormal. Gjithashtu, ne i kërkojmë Qeverisë, të ofrojë kartat e identitetit falas, për disa shtresa të caktuara të popullsisë në Shqipëri. Pensionistët duhet ta marrin kartën e identitetit falas. Janë 500 mijë njerëz, të cilët nuk mund të paguajnë koston e lartë të kësaj karte identiteti, të papunët nuk e paguajnë dot këtë kosto, njerëzit që janë në listat e Qeverisë për ndihmë ekonomike, apo për pagesë paaftësie dhe invaliditeti duhet ta marrin kartën e identitetit falas, por edhe studentët duhet ta marrin kartën e identitetit falas. Pra, për këto shtresa të popullsisë, ne i kërkojmë asaj që të mblidhet dhe të vendosë nëpërmjet një vendimi qeverie, që të përballojë koston e kartave të identitetit të këtyre shtresave të popullsisë në vend. Emigrantët nuk mundet të pajisen me kartat e identitetit. Pra, duhet të gjendet një zgjidhje për të gjithë emigrantët, të cilët duhet të pajisen më kartat e identitetit dhe nuk kanë mundësinë që të udhëtojnë drejt Shqipërisë, për t u pajisur me karta identiteti. Sipas informacioneve tona, ka mijëra pensionistë, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë dhe duhet, në mënyrë që të marrin pensionin e tyre për muajin mars, të kenë bërë patjetër kartën e identitetit. Pra, për këta mijëra pensionistë që jetojnë jashtë shtetit dhe e marrin pensionin këtu është e pamundur. Ne mendojmë, që duhet të shtyhet patjetër afati, përtej datës 25 shkurt, sepse do të jetë e pamundur për t u realizuar kjo për të gjithë shqiptarët. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, i bëjmë thirrje Qeverisë të heqë penalitetin. Nuk mund të penalizojë askënd, nëse ka mundësi apo s ka mundësi një qytetar të marrë kartën e identitetit, në afatin që ka caktuar Qeveria. Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut, që t u vendosësh atyre afat, pa i pyetur dhe pastaj t i penalizosh, në qoftë se nuk respektojnë dot afatet që u ke vendosur, në mënyrë apriori. Pra, duhet hequr penaliteti dhe duhet të shtyhet afati, që qytetarët të kenë mundësi të pajisen me të gjitha këto karta. Gjitashtu, do t i bëjmë thirrje qeverisë, të mos ketë ngarkesë politike në këtë proces. Kanë filluar që tani, hamendësitë që mund të ketë diskriminim politik për dhënien e kartave të identitetit: atyre që nuk votojnë për Qeverinë mund t u vonohet karta dhe atyre që votojnë për Qeverinë mund t u jepet karta më shpejt. Ne nuk kemi prova për këtë që ditën e parë, por duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe ta monitorojmë këtë proces me shumë kujdes, për mos të pasur diskriminime politike në procesin e dhënies së kartave të identitetit. Menduam që këto sensibilitete, që ngritëm janë sensibilitete, që i ndiejnë sot qytetarët shqiptarë. Edhe një herë i bëjmë thirrje Qeverisë, që t u kushtojë vëmendje këtyre sensibiliteteve”, - përfundoi deputeti Prifti deklaratën e tij.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›