Dyndje vizitorësh në pikat hyrëse të kufirit shqiptar

Një fluks i madh vizitorë shqiptarë e të huaj, kanë pushtuar këto ditët e fundit pikat kufitare në vend, duke kërkuar që të kthehen në atdhe për të kaluar pushimet, sikundër të shumtë janë edhe ata që po i drejtohen Greqisë apo Italisë, pasi kanë kaluar pushimet këtu në muajin korrik. Vetëm paraditen e djeshme mbi 12 mijë persona kanë hyrë në pikën kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës. Në pikën doganore të Kapshticës këtë fundjavë është regjistruar një fluks i lartë lëvizjeje në të dyja anët e kufirit, duke shkaktuar radhë në disa momente. Ajo është mbipopulluar që në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga një numër i konsiderueshëm mjetesh që hynin në tokën shqiptare. Sipas të dhënave vetëm gjatë orëve të para të ditës së shtunë kanë hyrë në tokën shqiptare mbi 7 mijë emigrantë, ndërkohë që kanë dalë nga vendi rreth 2400 persona. Për të bërë të mundur përballimin e gjithë këtij fluksi në doganën shqiptare punonin shtatë sportele, kurse në doganën greke katër. Ndërkaq, bëhet me dije se në Kapshticë radha e makinave në pritje për të kaluar kufirin grek arriti sot deri në 3 kilometra. Radhët e gjata janë si për të hyrë në tokën shqiptare, por edhe në atë greke. Në pikën tjetër doganore që lidh Shqipërinë me Greqinë, atë të Kakavijës, gjatë 24 orëve të fundit, kanë kaluar kufirin rreth 4 mijë persona dhe 1200 automjete. Nga ana e policisë kufitare janë marrë masa duke shtuar numrin e sporteleve në hyrje në 9 duke qenë se nesër pritet një fluks shumë i madh emigrantësh. Ndërkohë pala greke punohej me 6 sportele. Në Portin më të madh në vend atë të Durrësit vetëm gjatë paradites së djeshme janë ankoruar 7 tragete nga të cilët kanë zbarkuar 7 mijë pasagjerë dhe 3100 automjete. Edhe këtu është punuar me kapacitete maksimale për të mos shkaktuar radhë.
...