Harta e tiranëve më të egër që ende gjallojnë në botë
Nga Kim Jong Il tek Mahmud Ahmedinexhad, revista prestigjioze “Foreign Policy” kryen një udhëtim tek diktatorët më të egër ende në pushtet, duke kryer edhe një udhëtim tipologjik mbi karakteristikat e tyre çnjerëzore Njerëzit kanë një prirje të çuditshme për t’u shquar ndërmjet të tjerëve dhe pastaj për t’i nënshtruar ata, kur ia arrijnë qëllimit. Këtë veti e kanë fituar, zhvilluar e kultivuar shumë herët; që në kohët prehistorike, kur bënin jetë tribale, ose fisnore si i themi ne në shqip. Më vonë në antikitet, si në Mesopotami, Egjiptin e Lashtë, Persi e sidomos në Greqinë e Lashtë dhe në Romën Antike u ndjenë dhe sunduan diktatorët e parë (mbretër, perandorë). Në mesjetë, diktatorët janë me petkun e princave, mbretërve dhe perandorët e shoqërisë feudale. Tributë, ose grupet fisnore prehistorike, zakonisht drejtoheshin apo udhëhiqeshin nga një lider (udhëheqës) i të njëjtit fis, lidhje gjaku, gjuhe apo dialekti etj. Sot, thuajse 1.9 miliardë njerëz jetojnë nën sundimin e mbi 20 autokratëve. Kostoja e gjithë këtij despotizmi ka qenë asgjësuese. Miliona jetë kanë humbur, ekonomi të tëra janë rrënuar dhe shtete të tëra kanë dështuar nën shtypje brutale. Në një raport të mëparshëm“Freedom House” raporton se vetëm 60 përqind e vendeve të botës janë demokratike, shumë më shumë se 28 përqind që ishin në vitin 1950. E shumë prej atyre nuk janë demokraci reale, por udhëhiqen nga despotë të maskuar, ndërkohë që bota e merr lirinë për të mirëqenë. Edhe pse diktatorët janë të gjithë të këqij sipas mënyrës së tyre, ka një tipar që është shumë i zakonshëm dhe i padurueshëm tek shumë prej tyre: Frekuenca shqetësuese me të cilën shumë despotë, pretendojnë se e kanë nisur karrierën e tyre si “luftëtarë lirie” të supozuar të çlironin njerëzit e tyre. Së fundmi revista amerikane “Foreign Policy” që trajton politikën e jashtme të vendeve të ndryshme, me anën e një liste të gjatë ka publikuar udhëheqësit më të këqij në botë të mbajtur mend prej kohësh. Në vendin e parë renditet udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong II, i ndjekur nga pesë udhëheqës të tjerë të lartë si Robert Mugabe (Zimbabve), Soue Tan (Birmani), Omar Hassan al-Bashir Ahmad (Sudan) dhe Gurbanguli Berdimuhamedow (Turkmenistan). I pari në listën e diktatorëve më të tmerrshëm që udhëheqin është Kim Jong. Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong mori drejtimin e vendit menjëherë pas vdekjes së babait të tij në korrik të 1994-s. Një izolues me kultivimin e kultit të personalitet që preferon konjakun francez. Gjithashtu, një udhëheqës “i dashur” për popullin, është edhe Presidenti i Mbrojtjes Kombëtare dhe njëkohësisht sekretari i Partisë së Punëtorëve të Koresë. Sipas revistës Foreign Policy, ai është përgjegjës për izolimin e vendit, duke i terrorizuar njerëzit. Ka drejtuar me qindra e mijëra koreanë në qelitë e kampeve të përqendrimit, ndërsa nga ana tjetër njihet si një shpërdorues për harxhimin e burimeve të çmuara të vendit për programe lufte dhe armë bërthamore. Një udhëheqës tjetër i keq është edhe diktatori Robert Mugabe nga Zimbabveja, i cili mban vendin e dytë. Një “hero” i lirisë që luftonte për pavarësi e ka transformuar veten në një despot vrasës. Mugabe ka arrestuar e torturuar çdo kundërshtar politik, duke e varfëruar vendin për të fryrë llogaritë e tij vetjake. Që nga viti 1987, është kryetar shteti dhe një udhëheqës në një skemë të diskutueshme. Në mënyrë të përsëritur janë bërë ankesa për abuzime ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke e përshkruar si një “vrasës tiran ”. Me logjikën e dhunës ka arrestuar e torturuar anëtarët e opozitës. Ekonominë e vendit e ka çuar në një rrugë pa krye, duke rritur për interesat e tij ndërmarrje dhe kompani që mbajnë emrin e tij. Gjenerali Tan Soue erdhi në krye të diktaturës së vendit Mianmar më 23 prill 1992. Ai ka lindur më 2 shkurt të 1933. Gradën e gjeneralit e mori në moshën 20-vjeçare, ku më parë kishte punuar si punonjës në shërbimin postar në vend. Më 1992 ka marrë postin e lartë, Kryetar i Këshillit për Paqe dhe Zhvillim. Akuzohet edhe për përmbysjen dhe arrestimin e ish-kryeministrit Mob Niount, veprim që më pas i dha një rritje të konsiderueshme fuqisë së tij. Akuzohet se ka arrestuar dhe burgosur anëtarë të opozitës, duke refuzuar disa here edhe ndihmat humanitare të ndërkombëtarëve, pas katastrofës të ciklonit shkatërrues të vitit 2008, njëkohësisht akuzohet edhe për ngritjen e ekonomisë se zezë. Omar Hasan ahmad al-Bashir është gjeneral, ish-kryeministër i Sudanit gjatë periudhës 1989-1993, e që prej këtij viti e deri më sot president i vendit. Al-Bashir është një fanatik megaloman, i cili është përgjegjës për vdekjen e miliona sudanezëve, por ai vazhdon të qeverisë me grusht të hekurt. Erdhi në pushtet pas një grushti ushtarak, e bash për këtë veprim është akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, por edhe për krimet e luftës në Darfur. Po ashtu kemi Drejtuesin e Revolucionit neomarksist Bolivarian, Chavez, i cili promovon një doktrinë të demokracisë pjesëmarrëse, në të cilën ai është pjesëmarrësi i vetëm, duke qenë se i ka burgosur të gjithë liderët e opozitës, dhe e ka sakatuar median e lirë. Një tjetër, më pak i njohur është Berdimuhamedow Gurbanguli, një politikan nga Turkmenistani. Erdhi në pushtet për të zëvendësuar tiranin Saparmourat Atagievits Niyazov, duke u sjellë përballë popullit më keq se i mëparshmi. Vëllai i dytë Castro nuk është i ndërgjegjshëm që revolucioni që ai udhëheq është i dalë mode, i dështuar e aspak koherent me aspiratat e njerëzve kubanë. Ai ia vesh dështimin e revolucionit komploteve të huaja. Më pas si udhëheqës më të këqij në botë renditen: Afuorki Isaja, udhëheqësi i Eritresë, Islam Karimov, udhëheqësi i Uzbekistanit, Mahmud Ahmadineajd, udhëheqësi i Iranit, Meles Yenawi, udhëheqës i Etiopisë, Hu Jintao, lideri kinez dhe Muamar al- Gadafi, udhëheqësi i Libisë.
...