E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyrrahu nën libra

Vëllimi i parë i korpusit studimor mbi qytetin antik të Durrësit, i cili përfshin rezultatet e gërmimeve italo-shqiptare gjatë viteve 2004-2005, do të prezantohet në 23 korrik në mjediset e Muzeut Arkeologjik në këtë qytet.

Sara Santoro, pedagoge e Universitetit të Parmës, bashkëdrejtuese e projektit italo-shqiptar, tha se vëllimi “Dyrrachium I - Studime e gërmime në Amfiteatrin e Durrësit 2004-2005” do të prezantohet të mërkurën e javës së ardhshme nga prof. Paul Arthur, i Universitetit të Leçes.

Në të njëjtën veprimtari do të paraqitet edhe versioni shqip i faqes se internetit www.progettodurres.unipr.it, si dhe disa nga veprimtaritë e ardhshme të projektit italo-shqiptar për parkun arkeologjik urban “Durrësi”.

Prof. Santoro tha se brenda vitit 2009 do të publikohen edhe tre vëllime të tjera kushtuar arkeologjisë së emergjencës në Durrës (Dyrrachium II), mbi arkeologjinë dhe arkitekturën e amfiteatrit, (Dyrrachium III), si dhe studime të tjera urbanistike të qytetit antik (Dyrrachium IV).

Të gjitha këto studime bazohen në gërmimet arkeologjike italo-shqiptare që kanë nisur pesë vjet më parë në amfiteatrin e qytetit të Durrësit, i njohur në antikitet me emrin Dyrrah.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›