Pango, një letër “Top Channel”: Të lirojë mjediset e QNK-në
Ministri i Kulturës, Ylli Pango, u ka dërguar, dje, një letër kompanisë “Top Media” (“Top Channel” ku i rikërkon lirimin e ambienteve të QNK-së. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e Teatrit Kombëtar dhe Galerisë Kombëtare të Arteve në mjediset e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, ministria ka zhvilluar procedurat e prokurimit për rikonstruksionin e QNK-së, dhe kthimin e saj në Teatër Kombëtar dhe Galeri Kombëtare të Arteve. Por, procesi i punimeve sipas ministrit Pago është penguar për shkak se kompania televizive “Top Media”, që ka me kontratë mjediset e QNK-së, nuk është zhvendosur nga mjediset. “Kontrata me bashkimin e shoqërive është nënshkruar në datë 21.02.2008 me MTKRS. Për realizmin e kontratës Bashkimi i Shoqërive ka hasur vështirësi të mëdha, pasi edhe mbas njoftimeve të bëra nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për zgjidhjen e kontratës për interes publik, si dhe mbas njoftimeve të bëra nga MTKRS, nga ana juaj nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për të liruar ambientet dhe për të lehtësuar punën. Ky fakt ka detyruar kompaninë të punojë në orare të përcaktuara nga ju, të punojë gjatë natës me qëllim që të mospengojë aktivitetin tuaj televiziv, si dhe të pezullojë kontratat për vendosjen e fasadave të xhamit dhe veshjes së eksterierit (me qëllim që të ruajë aparaturat tuaja nga kushtet atmosferike). E njëjta gjë vlen edhe për instalimin e infrastrukturës inxhinierike”, - shkruan ministri Ylli Pango në letrën e tij, zyrtare.
Më tej, ai thotë se “ju bëjmë me dije se si METE, ashtu edhe MTKRS kanë qenë të hapur për bashkëpunim me kompaninë tuaj dhe këtë konfirmon edhe aneks-kontrata e qirasë për shtesën e sipërfaqes së qerasë pranë Qendrës Kombëtare të Panaireve nga 1.800 m2, në 2.300 m2. Për sa më sipër ju kërkojmë lirimin e ambienteve të QNK-së kthimin e të cilave në Teatër Kombëtar dhe Galeri Kombëtare të Arteve përbëjnë investimin më të madh të 18 viteve të fundit në fushën e artit dhe kulturës....”.